Inter-Bonny, arrihet marrëveshja 24 milionë euroshe. Chivu merr “dhuratën’ që dëshironte

Ange-Yoan Bonny është praktikisht lojtari i ri i Interit. Sulmuesi francez i lindur në 2003 është shumë pranë veshjes së fanellës zikaltër dhe në orët në vijim pritet të marrë dritën jeshile përfundimtare.

Mungojnë vetëm disa detaje për mënyrën e pagesës dhe shumën e bonuseve midis dy klubeve, para se të jepet miratimi për vizitat mjekësore të Bonny, të cilat mund të bëhen që të hënën. Po cila do të jetë e ardhmja e afërt e sulmuesit francez? Sipas “Gazzetta dello Sport”, trajneri Chivu mund të vendosë ta thërrasë më parë në grup dhe ta marrë në Amerikë për Botërorin e Klubeve.

FIFA ka hapur një dritare të dytë merkatoje për skuadrat që do të marrin pjesë në SHBA, e cila mbyllet më 3 korrik dhe iu mundëson klubeve të regjistrojnë lojtarë të rinj për fazën finale (me eliminim direkt) të Botërorit të Klubeve. Duke qenë se Interi do të luajë të hënën mbrëma në 1/8 finale kundër Fluminense, pikërisht kjo ndeshje do të jetë moment kyç për menaxhimin e Bonny.

Me shumë mundësi francezi nuk do të luajë në Amerikë, por vendimi do t’i takojë Chivut, nëse sulmuesi do t’iu bashkohet shokëve të skuadrës së re në Orlando (vendndodhja e mundshme e çerekfinaleve), apo nëse do t’i presë në Milano, ku të fillojnë stërvitjet në qendrën stërvitore të Pinetina, aty ku po rikuperohen Pavard, Bisseck, Zielinski dhe Calhanoglu.

Ndërkohë, Bonny po përgatitet të mbërrijë në Milano në fillim të javës së ardhshme. Përfshirja e Stuttgartit, që kërkon një zëvendësues për Woldemade, nuk pati efekt. Bayerni ka gati 60 milionë euro për sulmuesin, protagonist në Europianin U-21, por Interi dhe Parma kanë arritur marrëveshje, që do të respektohet deri në fund.

Bonny do të firmosë kontratë 5-vjeçare me zikaltrit, deri më 2030, më pas do të presë të dijë nëse do të shkojë në Amerikë apo do të qëndrojë në Pinetina. Shfaqja e Pio Espositos dhe rikthimi i Marcus Thuram e kanë zbutur krizën në sulmin e Interin, kjo mund ta bëjë trajtimin ndaj Bonny më të butë, duke i kursyer kështu udhëtimin amerikan.

The post Inter-Bonny, arrihet marrëveshja 24 milionë euroshe. Chivu merr “dhuratën’ që dëshironte appeared first on Telesport.