Inter, Bisseck dhe mesazhi i gjermanit për merkaton: “Le të thonë çfarë të duan…”

“Le të thonë çfarë të duan”. Në pritje për t’u rikthyer në formë optimale sportive, pas dëmtimit muskulor të pësuar gjatë finales së Champions-it, në fund të majit, Yann Bisseck ka postuar një histori enigmatike në profilin e tij në Instagram, në të cilën duket se i referohet merkatos.

I përmendur disa herë si lojtari që mund të sakrifikohet për të sjellë të ardhura në arkat e klubit zikaltër, mbrojtësi 24-vjeçar gjerman lë të kuptohet se mendon krejt ndryshe. Pra, është shumë mirë tek Interi, i cili nga ana e tij do të pranonte ta largonte vetëm për një ofertë të jashtëzakonshme prej të paktën 40 milionë eurosh, të tilla që zakonisht i përballon vetëm Premier League.

Më shumë se Pavard, gjermani Bisseck pëlqehet sepse është i ri, i përshtatshëm në disa role, fizikisht i fortë dhe me hapësira të mëdha për t’u përmirësuar. Crystal Palace thuhet se ka ofruar 32 milionë euro, por përgjigja e klubit zikaltër ka qenë negative. Chivu beson shumë te lojtari dhe nuk është ndonjë humbje e madhe nëse, për mungesë largimesh, nuk do të bëhet dot merkato hyrëse.

Reparti i mbrojtjes ka nevojë për rinovim (Acerbi, Darmian dhe De Vrij janë mbi të 30-at), por nëse duhet të sakrifikohet dikush, atëherë mund të jetë Pavard, i cili vjen pas dy sezoneve me disa probleme fizike, që ia kanë penguar vazhdimësinë.

Edhe për 29-vjeçarin francez, që dy vite më parë u ble nga Bayern Munich për mbi 30 milionë euro, do të nevojitej një ofertë e rëndësishme për të shmangur humbjet në bilanc. Bisseck erdhi po ashtu në vitin 2023, por vetëm për 7 milionë euro nga Aarhus i Danimarkës.

The post Inter, Bisseck dhe mesazhi i gjermanit për merkaton: “Le të thonë çfarë të duan…” appeared first on Telesport.