Inteligjenca artificiale në Botërorin 2026, edhe David Beckham në fushë…

Inteligjenca artificiale do të jetë pjesë e Botërorit 2026, edhe David Beckham gjithashtu do të përfshihet. Sponsor i FIFA-s, “Lenovo”, njoftoi partneritetin me ish-kampionin anglez. Bashkëpunimi hyn në kuadër të rolit të kompanisë si “Official Technology Partner” i Botërorit 2026 dhe atij femëror të vitit të ardhshëm.

Beckham do të përfshihet në zhvillimin e zgjidhjeve AI për sportin, me qëllim transformimin e lojës për klubet, lojtarët, arbitrat dhe tifozët. Objektivat përfshijnë përmirësimin e performancave të ekipeve, ofrimin e eksperiencave më tërheqëse për fansat dhe krijimin e mundësive të reja të fitimit përmes inovacionit të AI. Ai do të jetë pjesë e fushatës së ardhshme marketuese të “Lenovo”, që nis në maj.

Beckham tha: “Jam krenar të bashkëpunoj me kompaninë për Kupën e Botës dhe më tej. Futbolli gjithmonë ka të bëjë me talentin, instinktin, punën e palodhur dhe momente të paharrueshme. Sot, inteligjenca artificiale dhe të dhënat po ndryshojnë mënyrën se si e kuptojmë këtë sport, nga përgatitja e lojtarëve dhe trajnerëve deri te lidhja e tifozëve me lojën. Jam i emocionuar të zbuloj më afër punën inovative të ‘Lenovo’, që hap perspektiva të reja dhe e bën futbollin më të aksesueshëm”.

 

The post Inteligjenca artificiale në Botërorin 2026, edhe David Beckham në fushë… appeared first on Telesport.