Progres-Raporti për vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë integrimin BE do të publikohet më 29 maj.
Në këtë datë do të jepen vlerësimet e Komisionit Europian (KE) për punën që Shqipëria ka bërë në realizimin e 5 prioriteteve kyçe. Raporti për zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor do të prezantohet nga Komisioneri për zgjerimin, Johanes Hahn. Takimi, i cili do të mbahet vetëm disa ditë pas zgjedhjeve të BE, është planifikuar për në orën 11:00.
Në raporte nuk pritet të ketë surpriza. Komisioni Evropian do të rekomandojë edhe kësaj radhe çeljen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Ndryshe nga herët e mëparshme, progres raporti për Shqipërinë dhe Maqedoninë, këtë radhë vjen nën hijen e Samitit të Jashtëzakonshëm të vendeve anëtare, të cilat duhet të vendosin për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri të Komisionit të BE-së.
Ndërkohë vetëm pak ditë më vonë, më 18 qershor Këshilli i Europës (KiE), me krerët e vendeve anëtarë, do të vendosë nëse do të japë dritën jeshile për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Është përfolur se vendimi për Shqipërinë do të shtyhet për në muajin shtator, për shkak të krizës politike, por ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar./lexo.al