Emërimi i Meliza Krasniqit si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institutit Albanologjik të Kosovës ka shkaktuar përplasje midis këtij institucioni dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). Kjo e fundit ka konsideruar emërimin e Krasniqit (bashkëshortja e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi) si juridikisht të pavlefshëm për pozicionin e ushtruese së detyrës së drejtoreshës së Institutit Albanologjik në Prishtinë.
Pas reagimeit të MASHTI-it, drejtuesit e Institutit Albanologjik të Prishtinës, kanë mbajtur një konferencë për media, ku reagimin e MASHTI-it, e kanë quajtur si “ndërhyrje politike”, transmeton Telegrafi.
Adil Olluri, anëtari i Këshillit Drejtues, e ka quajtur të panevojshëm reagimin e MASHTI-it.
“Ju kemi thirrur lidhur me një reagim të panevojshëm, të çuditshëm dhe të habitshëm të MAShT-it në faqen e tyre në Facebook, gjë që një komunikim të natyrës institucionale ministria do duhej ta bënte përmes mënyrës zyrtare, jo përmes rrjetet socialeve. Reagimi i tyre ka qenë i pa nevojshëm dhe i paarsyeshëm, meqë ne në mënyre ligjore, e kemi caktuar ushtruesen e detyrës së drejtoreshës. Ai propozim i ka shkuar Këshillit Drejtues siç e thotë ligji. Më pas, në afatet e përcaktuara qartë, e kemi thirrur mbledhjen e rregullt të Këshillit Drejtues, ku një nga pikat ka qenë vendimi i Këshillit Shkencor për emërimin e ushtruesit të detyrës”, tha ai.
Olluri bëri thirrje që MASHTI të mos ndërhyjë, pasi që janë institucion i pavarur.
“Ndërhyrje tërësisht, ne jemi institut i pavarur. Ne jemi të gatshëm të rezistojmë dhe ta mbrojmë pavarësinë tonë institucionale deri në frymën e fundit. I bëjmë thirrje MASHTI-it që të bashkëpunojë dhe të gjejmë mundësi të ecim tutje”, theksoi mes tjerash ai.
Ndryshe, të martën, MAShTI në një komunikatë dërguar mediave ka pohuar se Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik ka ndërmarrë një vendim për emërimin e u.d. drejtorit, mirëpo në atë mbledhje kanë qenë të pranishëm vetëm tre nga pesë anëtarët, duke mos arritur kuorumin e nevojshëm prej katër anëtarësh, siç kërkohet me rregulloren e punës së këtij organi.
“Çdo vendim i marrë në këtë rrethanë është juridikisht i pavlefshëm dhe në kundërshtim me rregulloren në fuqi”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
The post Instituti Albanologjik e quan ndërhyrje politike reagimin e MASHTI-it për emërimin e Meliza Krasniqit appeared first on Kosovapost.net.