Për shkak të mungesës së stafit mjekësor në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) një infermiere duhet të kujdeset për 20 foshnje. Edhe pse mijëra foshnje trajtohen në vit në këtë klinikë, numri i personelit mjekësor që ofron shërbime vazhdon të jetë i vogël, shkruan Gazeta Zëri.
Përveç Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, mungesë të stafit mjekësor ka edhe në klinikat tjera në QKUK, si dhe në spitalet regjionale.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se institucioneve publike shëndetësore në vend, sipas standardeve botërore, u mungojnë rreth 5 mijë punëtorë shëndetësorë.
Sipas tij, është e rëndë që një punëtor të kryejë punën e 10 punëtorëve shëndetësorë.
“Ne sipas standardeve botërore dhe evropiane jemi diku 5 mijë punëtorë shëndetësorë mangët. Ne e kemi ngritur vazhdimisht shqetësimin, duke u bazuar në rritjen ekonomike, por nuk po donë të punësojnë më shumë se që duhet. Është e stërmundimshme që këta punëtorë të kryejnë punën e 10 motrave. Kemi mungesë të hatashme të punëtorëve shëndetësorë, i dëshirojmë standardet të cilat popullata po dëshiron t’i ketë, por ne jemi shumë larg këtij realiteti”, ka thënë ai. Ai ka theksuar se do të jetë e pamundur që të ofrohen shërbime të mira mjekësore nëse numri i personelit mjekësor do të jetë i vogël.
“Të gjitha partitë politike as që e kanë idenë se sa punëtorë ne duhet t’i kemi për ta kryer këtë shërbim. Në vendin ku unë punoj merren dy motra në ndërrim me afër 50 pacientë. Është e pamundur që të ofrohet një shërbim i mirë. Ne kemi pak njerëz dhe ne mund të mundohemi për të bërë diçka, përndryshe me këtë staf që kemi nuk mundemi ta japim shërbimin që duhet. Ne vazhdimisht kemi apeluar se kemi mungesë, këta mburren që po i punësojnë 100-200 vetë. Është e pamundshme t’i mbërrijmë standardet që i duam ne”, ka thënë ai.
Syla ka folur edhe për personelin mjekësor që po ik nga Kosova, me ç’rast ka thënë se duhet që mjekëve të rinj t’u jepen paga më të mira, në mënyrë që të ofrojnë shërbime në vend dhe të mos u drejtohen shteteve tjera.