Përdorimi i një shprehjeje me ngarkesë përçmuese ndaj komunitetit egjiptian nga moderatorja e emisionit “Ferma VIP”, Arbana Osmani, në televizionin “Vizion Plus”, ka shkaktuar reagime të shumta nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e kanë cilësuar këtë gjuhë si problematike dhe fyese.
Në një deklaratë publike, Lëvizja Rinore Egjyptiane dhe Rome shprehu shqetësimin për ndikimin që kanë këto shprehje në shoqëri, duke theksuar se ato ushqejnë stereotipe dhe paragjykime
“Edhe kur përdoren pa qëllim të drejtpërdrejtë për të ofenduar, shprehje të tilla vazhdojnë të ushqejnë stereotipe dhe paragjykime që prekin dinjitetin e njerëzve”, u shpreh përmes një deklarater publike, Lëvizja Rinore Egjyptiane dhe Rome.
Sipas organizatës, pjesëtarë të komunitetit egjiptian janë ndjerë të ofenduar dhe kanë kërkuar që moderatorja Osmani të kërkojë ndjesë publike për deklaratën e saj.
Reagimi i Osmanit pas situatës nuk është konsideruar i mjaftueshëm nga organizatat.
“Shfajësimi që u përpoq të bëjë më pas Arbana Osmani duke thënë se ka përdorur një ‘shprehje popullore që tingëllon raciste, për të cilën nuk ishte, nuk ka qenë dhe s’do të jetë kurrë e tillë’, nuk është një kërkesë ndjesë e vërtetë”, thuhet më tej në deklarata.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Qendra për Advokim Social, e cila lobon për të drejta të barabarta për pakicat kombëtare.
Ndërkohë, organizata Drejtësi Sociale e ka cilësuar shprehjen e përdorur “ke marrë si pushka e jevgut” si problematike, duke theksuar se ajo relativizon një gjuhë që fyen dhe përjashton.
“Pas çdo ‘shprehjeje të zakonshme’ fshihet një histori paragjykimi që ne nuk duhet ta trashëgojmë më. Komuniteti egjiptian nuk është metaforë, nuk është batutë, është pjesë e shoqërisë sonë, me dinjitet të plotë”, thuhet në reagimin e organizatës Drejtësi Sociale.
Reagim ka ardhur edhe nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili dënoi gjuhën e përdorur në transmetim.
“Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpreh keqardhjen për përdorimin e gjuhës së papërshtatshme dhe steriotipeve racore, e cila nuk parandalohet në kohë reale dhe kanë mundësi të përhapet në rrjetet sociale duke dëmtuar personat e përfshirë dhe më gjerë”, thuhet në deklaratën e Komisionerit.
Sipas këtij institucioni, platformat televizive kombëtare mbajnë përgjegjësi për promovimin e mesazheve gjithëpërfshirëse “që luftojnë diskriminimin, promovojnë Barazinë, si dhe respektojnë dinjitetin e çdokujt”.
Komisioneri u bëri thirrje produksionit të emisionit dhe televizionit “Vizion Plus” që të krijojnë mekanizma për parandalimin dhe trajtimin e gjuhës së papërshtatshme në transmetimet e tyre.








