Një kontroll i papritur nga institucionet shtetërore në pikat e kompanisë HIB Petrol në Prishtinë dhe Pejë ka nxitur reagime dhe akuza për presion institucional, vetëm disa orë pasi kompania kishte kundërshtuar publikisht deklaratat e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila.
Avokati i kompanisë, Arianit Koci, bëri të ditur se inspektorë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë kryer kontrolle në objektet e kompanisë në mbrëmje, gjatë fundjavës.
“Sonte në mbrëmje, në ditë vikendi, në objektet e HIB Petrol, në Prishtinë dhe Pejë, janë paraqitur inspektorë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Administrata Tatimore e Kosovës”, ka deklaruar Koci.
Sipas tij, ky veprim vjen menjëherë pas reagimit publik të kompanisë ndaj deklarimeve të ministres Kusari-Lila lidhur me marzhat e naftës, të cilat, sipas avokatit, janë kundërshtuar me të dhëna zyrtare.
“Kjo ndodh në të njëjtën ditë kur HIB Petrol reagoi publikisht – përmes meje si avokat – ndaj pasaktësive të deklaruara nga ministrja për marzhat e naftës”, theksoi ai.
Koci e ka cilësuar të dyshimtë kohën e zhvillimit të kontrolleve, duke ngritur pikëpyetje mbi paanshmërinë e institucioneve shtetërore.
“Reagim gjatë ditës. Kontrollë në mbrëmje. E njëjta ministri ku ushtron funksion zonja ministre. Kjo kontrollë e krijon përshtypjen e përdorimit selektiv të mekanizmave shtetërorë dhe e vë seriozisht në dyshim paanshmërinë e institucioneve”, deklaroi ai.
Ai shtoi se situata krijon perceptimin se reagimi publik ndaj institucioneve mund të ketë pasoja ndëshkuese.
“Në këtë situatë, reagimi publik shihet si i ndëshkueshëm, edhe kur ke të drejtë në raport me organet shtetërore, dhe krijohet ideja se po tentohet të mbyllet zëri kritik”, përfundoi Koci.
Deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga MINT apo Administrata Tatimore e Kosovës lidhur me arsyet e këtij inspektimi.










