Sindikata e RTK-së njoftoi të martën se Inspektorati i Punës e ka dënuar Radiotelevizionin e Kosovës me tre mijë euro gjobë për degradimin e jashtëligjshëm të kryetarit të Sindikatës, Fadil Hoxha.
Në vendimin e Inspektoratit, RTK obligohet që në afat prej tetë ditësh ta paguajë këtë dënim, në të kundërtën do të iniciohet procedurë përmbarimore.
“SPRTK e mirëpret këtë vendim të Inspektoratit për ndëshkimin e paligjshmërisë, por në anën tjetër është e shqetësuar për dëmin financiar që po i shkaktohet Radiotelevizionit të Kosovës për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të Menaxhmentit”, thuhet në komunikatën për media.
Sindikata po ashtu ka kërkuar nga Bordi i RTK-së që ta thërras në përgjegjësi Menaxhmentin, “për dëmin material dhe jomaterial që po ua shkakton të punësuarve të RTK-së si dhe për dëmtimin e buxhetit dhe imazhit të RTK-së”.
“Gjithashtu, Kuvendi i Kosovës me kryesinë dhe komisionet përkatëse që mbikëqyrin Transmetuesin Publik, të reagojnë dhe të kërkojnë që përgjegjësit për veprimet e paligjshme të japin llogari”.
“Pasojat nga veprimet e jashtëligjshme si kjo e degradimit të kryetarit Hoxha, do ta përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen financiare të RTK-së e cila edhe ashtu është e rëndë”, përfundon komunikata.