Inspektorati i Punës gjobit Trepçën me 800 euro pas ankesës së punëtores për kushte të rënda dhe shkelje ligjore

Inspektorati Qendror i Punës ka shqiptuar masë ndëshkimore ndaj ndërmarrjes “Trepça” Sh.A., pas shqyrtimit të ankesës së parashtruar nga punonjësja Valdete Shabani, lidhur me shkelje të ligjit të punës dhe të sigurisë në vendin e punës.

Sipas vendimit të datës 12.12.2025, Inspektorati ka konstatuar se punëdhënësi nuk ka vepruar në përputhje me nenin 23 të Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë, duke mos e njoftuar menjëherë Inspektoratin për aksidentin në punë që ka ndodhur më 27.03.2025 dhe që ka rezultuar me lëndim të punonjëses, raporton lajmi.net

Për këtë shkelje, Trepçës i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 800 euro.

Në ankesën e saj, Shabani ka theksuar se në vendin e punës ka pasur kushte katastrofale, përfshirë mungesë të ujit dhe tualetit, si dhe veprime abuzive nga menaxhmenti, përfshirë transfere të shpeshta dhe të pajustifikuara në distanca të gjata ditore. Ajo ka deklaruar se edhe pas aksidentit ka vazhduar të ekspozohet ndaj kushteve të pasigurta dhe të padrejta të punës.

Nga dokumentacioni i administruar, Inspektorati ka konstatuar se Shabani ka qenë e punësuar në Trepça që nga viti 2012 dhe gjatë viteve ka kaluar në disa pozita dhe njësi biznesore, përmes vendimeve të ndryshme të menaxhmentit. Pas shqyrtimit të ankesës dhe provave, është vendosur që ajo të kthehet në pozitën e mëparshme në Njësinë Biznesore Metalurgjia e Zinkut, sipas vendimit përkatës./Lajmi.net/

Dokumenti si me poshtë: