Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) ishte më i lartë për 4.7% në shtator 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, pra gusht të vitit të kaluar.
Ndërkohë, inflacioni mujor shënoi një rënie prej -0.2% në krahasim me gushtin 2025.
Rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimet në disa kategori të mallrave dhe shërbimeve.
Haki Shatri: Inflacioni po e varfëron qytetarin, çmimet janë rritur – pagat jo
Ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, në një prononcim për FrontOnline vlerëson se një nivel i tillë inflacioni 4.7% është shqetësues për qytetarët, pasi nuk është shoqëruar me rritje të pagave, pensioneve apo ndihmave sociale.
Sipas tij, rritja e çmimeve nënkupton zvogëlim të fuqisë blerëse dhe rrjedhimisht rënie të standardit të jetesës.
‘’Inflacioni 4,7 % është shqetësues më shumë për qytetarët sepse atyre nuk u janë rritur as pagat e as nuk janë rritur pensionet e as dërgesat sociale. Rritja e çmimeve do të thotë zvogëlim i mallit që mund te blihet, kjo nënkupton rënie të standardit të qytetarëve’’, tha ish ministri Shatri për FrontOnline.
Ai thotë se shifra 4.7% përfaqëson vetëm mesataren e përgjithshme të rritjes së çmimeve, ndërsa produktet bazë të shportës së konsumatorit janë shtrenjtuar shumë më tepër.
Kjo, sipas tij, tregon se standardi jetësor i qytetarëve po bie për shkak të mungesës së përshtatjes së pagave me nivelin aktual të inflacionit.
‘’ Kjo shifër është e përgjithshme e rritjes se çmimeve kurse po te hyhet brenda tabelës se mallrave që kane pasur ndryshim krahasuar me shtatori e kaluar mallrat e shportës se konsumatorit kane rritje shumëfish me te madhe , që d.m.th. qytetarëve iu bie standardi në mënyre rapide për shkak të mos përshtatjes së pagave me nivelin e inflacionit që është tani për tani’’, deklaroi Shatri.
Bellaqa: Inflacioni po i godet më së shumti pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta
Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa në një prononcim për FrontOnline ka deklaruar se inflacioni prej 4.7% është shqetësues, pasi shënon rritje të vazhdueshme krahasuar me muajt paraprakë.
Ai thotë se çmimet e produkteve bazike si mishi, qumështi, djathi dhe vezët janë rritur ndjeshëm, ndërsa energjia elektrike është shtrenjtuar për 17.4% gjatë vitit.
‘’Sa i përket inflacionit prej 4.7% për muajin shtator te vitit 2025 ne krahasim me shtatorin e vitit 2024, kjo është shqetësuese sepse edhe muajt tjerë si gushti i këtij viti inflacioni ishte 4.5% pastaj korriku 4.3% kjo do te thotë se çdo muaj ka rritje të çmimeve te produkteve bazike si p.sh. mishi plus 12% djathi, vezët, qumështi 8.8% etj. Rrjedhimisht si faktorë është rritja e çmimit te energjisë elektrike për gjatë vitit 2025 prej 17.14%’’, tha Bellaqa.
Sipas Bellaqës, kjo situatë po e rëndon jetën e familjeve me të ardhura të ulëta, pensionistëve dhe punëtorëve, duke ulur fuqinë blerëse dhe standardin e jetesës.
‘’Kjo rritje e vështirëson jetën e kategorive me te hyra te ulëta si te ato qe mbështeten me asistence sociale te kategoritë pensionale me vlerë pre 120 euro gjithashtu edhe te punësuarit ne sektorin privat dhe publik qe e përkeqëson ekonomin familjare dhe jetën e konsumatorit qe ndikon direkt ne mirëqenien ekonomike dhe financiare sociale’’, tha Bellaqa.
Ai shton se inflacioni ndikon edhe në ndërmarrjet e vogla e të mesme, të cilat përballen me kosto më të larta dhe janë të detyruara të rrisin çmimet e produkteve.
‘’Por duhet theksuar se edhe te ndërmarrjet e vogla dhe te mesme e rritë koston e shpenzimeve variabile dhe shpenzimeve fikse ku ndikon direkt ne rritjen e çmimeve dhe ne koston e jetës se qytetarit’’, përfundoi Bellaqa.
Pensionistët: Jemi mësuar me varfëri, ne jetojmë nga ndihmat e pasardhësve tanë
Sekretari i Shoqatës së Pensionistëve ka thënë se rritja e çmimeve po e përkeqëson gjendjen e të moshuarve, të cilët tashmë mezi përballojnë jetesën me pensionet e ulëta.
Ai u shpreh se pensionistët janë “mësuar me varfëri”, por tani situata është bërë edhe më e rëndë, pasi shumë prej tyre detyrohen të mbështeten te pasardhësit për të mbijetuar.
‘’Jemi msu me varfëri ne çdo gjë që vjen veçse përkeqësohet situata, ne jemi barrë e pasardhësve nuk kemi mundësi ne me pensionet tona të jetojmë, që do të thotë çdo gjë që vjen e rëndon situatën tonë ,kuptohet që inflacioni është problem për të gjithë e le më për pensionistët. Ne duhet të mbështetemi nga pasardhësit tanë fatkeqësisht , pra keq e ma keq është situata’’, tha Kastrati për FrontOnline.