Inflacioni drejt ritmit shqetësues: Kosova dukshëm mbi mesataren e BE-së

Pas gati dy vitesh ku fjala “inflacion” dominonte diskursin publik për shkak të krizës së paprecedentë të çmimeve, të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës po na rikthejnë ‘deja-vu’ të padëshiruar të krizës. Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit ka arritur në 5.1 përqind në tetor 2025, niveli më i lartë që prej pranverës së vitit 2023, duke sinjalizuar rikthim të presioneve inflacioniste.

Kjo rritje vjen në një kohë kur mesatarja e Bashkimit Evropian sillet rreth 2,4%, ndërsa zona e euros qëndron në vetëm 2,0%, sipas të dhënave të fundit të Eurostat për korrik 2025. Kosova po lëviz në një “klimë çmimesh” gati dyfish më të larta se BE-ja.

Tre raportet e fundit të ASK për IHÇK – për gushtin, shtatorin dhe tetorin 2025 – tregojnë qartë se trendi i inflacionit është kthyer përsëri në rrjedhë serioze negative:

  • Gusht 2025: inflacion vjetor 4,5%, inflacion mujor 0,5%.
  • Shtator 2025: inflacioni vjetor ngjitet rreth 4,7%, ndërsa krahasuar me gushtin çmimet shënojnë një rënie mesatare prej -0,2%. ASK+1
  • Tetor 2025: inflacioni vjetor kërceu në 5,1%, ndërsa ai mujor arriti 0,6%.

Pra kemi tre muaj rresht me inflacion mbi 4.5%, duke u ngjitur në 5.1% në tetor, niveli më i lartë që nga vitet 2022-2023 ku norma e inflacionit kishte tejkaluar nivelet historike.

Çka po e ushqen rritjen e çmimeve?

Struktura e inflacionit flet po aq shumë sa vetë përqindjet. Në gusht dhe tetor, ASK ka evidentuar disa kategori që po “shtyjnë” çmimet lart:

Ushqimet dhe pijet joalkoolike, për shembull, kanë shënuar rritje të qëndrueshme dhe të lartë në të tre muajt: 9.3 përqind në gusht, 8.7 përqind në shtator dhe 8.0 përqind në tetor. Edhe pijet alkoolike e duhani, si dhe shërbimet hoteliere, kanë shfaqur rritje të theksuar nga muaji në muaj.

Krahasimi me BE-në

Në të njëjtën periudhë, Bashkimi Evropian lëviz në një realitet krejt tjetër. Sipas Eurostat, inflacioni mesatar i BE-së në muajt kryesorë të vitit 2025 qarkullon në intervalin 2.4–2.6 përqind. Kosova, ndërkohë, qëndron në intervalin 4.5–5.1 përqind – distancë që po zgjerohet.

Viti 2024 solli një farë lehtësimi. Komunikatat mujore të ASK tregonin se inflacioni vjetor kishte rënë në nivele shumë të ulëta, rreth 1–2%, si në gusht 2024 (1,4%) ashtu edhe në muaj të tjerë të vitit. Megjithatë, zbutja rezultoi e përkoshme me vetëm një vit më vonë që pati rikthim të rendit negativ nga 1–2% në fund të 2024-s, në mbi 5% aktualisht, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.