Inflacioni dhe shtrenjtimi i energjisë, AKK-ja: Barrë shtesë për qytetarët dhe bizneset

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar pas situatës me inflacionin dhe paralajmërimeve për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka thënë për indeksonline se kjo është një barrë shtesë për qytetarët dhe bizneset, duke shtuar edhe indikacionet e vendimit për rritjen e tatimit në pronë.

“Për më tepër, ka filluar edhe zbatimi i tatimi në tokën bujqësore, duke krijuar një tjetër sfidë për fermerët dhe sektorin agro-industrial, të cilët janë një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit.

Kombinimi i këtyre tre faktorëve – rritja e çmimit të energjisë, rritja e tatimit në pronë dhe tatimi mbi tokën bujqësore, do të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve, duke rritur koston e jetesës dhe duke vështirësuar zhvillimin e bizneseve që ka impakt të drejtpërdrejtë edhe në zhvillimin ekonomik lokal” ka thënë Ibrahimi.

Ai shtoi se qasja e vazhdueshme e ngarkimit të qytetarëve me tatime të reja dhe tarifa të rritura kërkon koordinim ndërinstitucional por edhe qasje më të balancuar.

Kjo, sipas tij, duhet të bëhet me qëllim që të mos dëmtohet edhe më tutje stabiliteti ekonomik dhe të ruhet mirëqenia ekonomike e vendit.