Ditët e fundit në vendin tonë është ulur ndjeshën numri i rasteve të reja me Covid si dhe numri i personave që humbin jetën nga ky virus.
Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë është shënuar vetëm një rast i vdekjes dhe janë regjistruar 23 raste të reja me SARS CoV-2.
Po cilët janë faktorët që kanë ndikuar në uljen drastike të rasteve me Covid-19?
Infektologu, Ilir Tolaj, në një prononcim për “Gazeta Blic” ka thënë se në uljen e numrit të rasteve të reja kanë ndikuar disa faktorë të ndryshëm.
Tolaj thotë se kjo në radhë të parë ka ndodhur pasi më shumë se 60% e popullsisë e kanë kaluar Covid-19, si dhe faktori tjetër është imuniteti kolektiv.
“Numri i rasteve te reja me Covid-19 ka rënë ndjeshëm sepse tashmë ka përfunduar vala e tretë e pandemisë për vendin tonë, duke lënë pas vetes të infektuar pjesën më të madhe të popullatës. E vleresoj se deri tash, në forma të ndryshme, me ose pa simptome, më shumë se 60% e popullatës së Kosoves e kanë kaluar Covid-19, duke lene pas vetes një imunitet kolektiv të mjaftueshem për ta penguar përcjelljen e pakontrolluar të virusit gjë që ka rezultuar edhe me situaten e volitshme epidemiologjike që tash e kemi ne vend” tha Tolaj.
Tolaj thotë se përballja e ‘lehtë’ me pandeminë që ka ndodhur në Kosovë nuk është meritë e autoriteteve shëndetësore por e strukturës demografike të vendit tonë.
“Kuptohet me renien e numrit te rasteve te reja me Covid-19 ka rënë edhe numri i vdekjeve, sepse këto janë ne lidhje kauzale mes vetes. Perballja relativisht e lehtë dhe me më pak pasoja sesa shumë vende të tjera të botës nuk është meritë e punës së autoriteteve shëndetësore të Kosovës, por kryekëput është pasojë e strukturës demografike të vendit tonë, qe shquhet me popullatë shumë të re dhe numër të vogël të të moshuarve”
Ai tutje paralajmëron se nëse procesi i vaksinimit shkon si tani, në vjeshtë do të ketë sërish rritje të numrit të rasteve me Covid.
“E vleresoj se nese autoritetet shendetësore dhe politike të vendit do të kishin qenë në gjendje që të sigurojnë vaksinimi masiv të popullatës me vaksinën anticovid brenda 4-5 muajve të ardhshëm, ateherë me siguri te madhe do te konstatoja se ne e kemi mundur pandeminë. Në të kundërtën, nëse vaksinimi do të jetë me ritmet e deritashme, ka gjasa që pas veres sërish te kemi nje rritje të numrit te rasteve te reja me covid-19, gjithesesi jo ne nivelin e valës se fundit që e lamë pas” tha Tolaj për “Gazeta Blic”
Gjatë ditës së djeshme Qeveria e Kosovës ka ndryshuar masat anti Covid.
Me vendimin e ri të marrë nga institucionet shëndetësore është hequr plotësisht ora policore dhe janë lehtësuar edhe masat e tjera.