Infektologu Sadiku: Për së paku edhe 6 muaj do të jetojmë me COVID-19

Situata në Klinikën Infektive është e rënduar, për 5 ditë janë shënuar mbi 1000 raste të reja me Covid-19 në Kosovë, kështu tha infektologu, Izet Sadiku.

Sadiku u shpreh se kapacitetet tani më janë të mbushura, duke thënë se në spitalet e Kosovës dhe në QKUK janë mbi 300 pacientë të shtruar, mbi 170 pacientë janë me oksigjenoterapi, shkruan rtv21.tv. Infektologu theksoi se edhe numri i madh i të infektuarve të punëtorëve shëndetësor po e rëndon situatën.

Ai tha se rreth 420 punëtorë shëndetësor janë të infektuar me Covid-19.

Izet Sadiku duke bërë thirrje që të respektohen masat parandaluese deri sa të zbulohet një vaksinë kundër Covid-19, u shpreh se duhet të mësohemi të jetojmë me virusin së paku edhe për 6 muaj, pasi që sipas tij edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk premton që kjo situatë do të kalojë shpejtë, pa u zbuluar vaksina.

Deri më 12 korrik numri total i rasteve pozitive është 4.931, me gjithsej 102 raste të vdekjes, të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese dhe 2.267 të shëruar.