Reparti kirurgjik në spitalin e përgjithshëm në Strugë është mbyllur. Mjekët dhe personeli tjetër mjekësor janë vendosur në karantinë.
Në funksion është vetëm ambulanca kirurgjike.
Shkak për këtë është se mbi 50 për qind e punonjësve shëndetësorë në këtë repart janë prekur nga fruthi.
Komisioni për infeksione në suazat e spitalit ka marrë këtë vendim ndërsa për këtë janë njoftuar Ministria e shëndetësisë, Qendra e shëndetit publik dhe Inspektorati republikan sanitar.
“Dje u morr vendimi që përkohësisht të mbyllet reparti kirurgjik dhe të mos pranohen pacientë tek ne gjegjësisht të dërgohen në spitalet më të afërta ku do të marrin përkujdes përkatës. Në Maqedoni është shpallur epidemia e fruthit, por interesante është që thuajse 50% i personelit mjekësor është prekur nga epidemia dhe faktikisht nuk mund të funksionojë” tha Vlladimir Koçovski- reparti kirurgjik.
Pacientët e caktuar për operacione janë njoftuar për situatën e re të krijuar ndërsa rastet emergjent do të ridërgohen në Ohër apo në spitale tjera.
“Nuk mund të formojmë ekip pasi jemi të përgjysmuar. Gjysmë ekipi i kirurgjisë dhe anestezisë janë në pushim mjekësor”- theksoi Vlladimir Koçovski- reparti kirurgjik
Fillimisht, afati se deri kur kirurgjia do të mbetet mbyllur është 28 maji, ndërsa për më tutje askush nuk din asgjë.
“Mjekët nuk e përjashtojnë mundësinë afati për mos- funksionim të repartit kirurgjik këtu në Strugë të vazhdohet edhe pas 28 majit. Informacionet e fundit të Qendrës për shëndet publik flasin se numri i të prekurve nga fruthi në Strugë është 126 ndërsa vetëm në kirurgji janë të prekur 14 punonjës shëndetësor”.
Spitali i qytetit në Strugë mbulon territor të madh të popullatës prej rreth 60 mijë banorë.
Por, këtu për operacion vijnë edhe pacientë nga qytetet tjera nga pjesa jugperëndimore të Maqedonisë, nga pjesa lindore, por edhe nga Shqipëria.
Gjatë vitit këtu realizohen rreth 1600 operacione, para se gjithash në tëmth, karcinom në zorrën e trashë, në lukth dhe gjoks./Alsat-m/