Infantino: Do të ndihmojmë në rindërtimin e të gjitha objekteve të futbollit në Gaza

Pas marrëveshjes së paqes mes Izraelit dhe Hamasit për Gazën, të nënshkruar të hënën në Sharm el-Sheikh, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka premtuar mbështetje për rindërtimin e infrastrukturës futbollistike në Gaza si pjesë e përpjekjeve pasluftarake.

“Është shumë e rëndësishme që FIFA të jetë këtu për të mbështetur, ndihmuar dhe siguruar që ky proces paqeje të përmbyllet me sukses”, – tha Infantino pas firmosjes së dokumentit që përcakton planet për stabilitetin rajonal dhe rindërtimin, sipas “Reuters”.

Qëllimi është rindërtimi i strukturave të shkatërruara dhe krijimi i një fondi për financimin e fushave dhe programeve rinore. “Roli i futbollit është të mbështesë, të bashkojë dhe të japë shpresë. Ne do të ndihmojmë në rindërtimin e të gjitha strukturave të futbollit në Gaza, së bashku me Federatën Palestineze (PFA), do të krijojmë mundësi për fëmijët përmes lojës”.

Në përfundim, Infantino njoftoi se FIFA do të kontribuojë me mini-fusha dhe “FIFA Arenas”, duke ftuar partnerë të tjerë të bashkohen me nismën, sepse “futbolli iu jep shpresë fëmijëve dhe kjo është diçka jashtëzakonisht e rëndësishme”.

The post Infantino: Do të ndihmojmë në rindërtimin e të gjitha objekteve të futbollit në Gaza appeared first on Telesport.