Indiferentë ndaj ShBA-së dhe rreziqeve, Kurti ende pa kontakte me administratën Trump

Pa ShBA-në kufijt e Kosovës s’do të ishin pikëçuditëse, por pikëpyetje – e sovraniteti i saj mirazh. Megjithatë, indiferenca shtetërore kosovare karshi kthesave të mëdha botërore me qendër nga ShBA-ja, ka përshkuar vendin.

”Ka edhe dy muaj kohë”, pati thënë me nonshallansë Albin Kurti pas inaugurimit të Donald Trump në ShBA, dhe se për ato dy muaj do të merrej me administratën që mbetej në detyrë, të Joe Biden-it.

Tash një muaj pas inaugurimit të Trump, Qeveria e Kosovës (ndonëse në mandat teknik) ende nuk e ka vendosur asnjë kontakt – kështu tha edhe vet para një jave kryetari i qeverisë, Albin Kurti, në një intervistë për ”The Guardian”.

Donika Gërvalla, shkoi e erdhi në Uashington, mu në ditën e inaugurimit – qëndroi mbyllur dy netë në hotel, pa u takuar me shpirt të gjallë amerikan – e MPJ ende s’ka mundur të ndajë asgjë nga ajo vizitë.

Teksa bota po hyn drejt asaj çka është quajtur ”imperalizëm tranzaksional” dhe ngriten prospekte të një ristrukturimi të prezencës ushtarake amerikane në kontinentin evropian – e deri te mundësitë reale për ’dritë të gjelbër’ koncesioneve territoriale ndaj Federatus Ruse në Ukrainë – Kosova është në një limbo heshtjeje.

E kjo, megjithë një bagazh gati se dy vjeçar marrëdhëniesh të lënduara Prishtinë – Uashington, kur në administratë atje ishte administratë tradicionale.

Për filozofin dhe profesorin universitar, Blerim Latifin, ”ka indiferencë të dukshme” nga autoritetet shtetërore ndja këtyre zhvillimeve.

Latifi jep ”tre faktorë” që kanë përcaktuar sjellje të tillë të institucioneve.

E para, gjendja pas-gjedhore.

“Faktori i parë është se aktualisht ndodhemi në një situatë politike postelektorale, në të cilën kemi një qeveri në ikje dhe një proces të ngadalshëm të adiministrimit të votës, nga i cili rezulton paqartësia se kush do të jetë në qeverinë e ardhshme. Kjo natyrshëm krijon mosvëmendje ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, madje edhe kur ato janë dramatike, si në rastin aktual”, tha Latifi.

“Kurti s’punoi për mbrojtjen e raportit me SHBA, tjetërsoi disa nga përkrahësit më të flaktë amerikanë të Kosovës”

E dyta, bagazhi i marrëdhënieve të këqija me administratën e parë Donald Trump që e ka karakterizuar tash e pesë vite Albin Kurtin, shtjellon Latifi.

“Faktori i dytë është se kryeministri dhe qeveria e kaluar ka pasur marrëdhënie të tensionuara me administratën e parë të presidentit Trump dhe ndër vite këto tensione nuk janë tejkaluar, por përkundrazi janë mirëmbajtur në tensionin e tyre. Ky pothuajse ka një shkallë zero të komunikimit të institucioneve kosovare me administratën e re amerikane dhe kjo sigurisht e bën edhe më delikat pozicionin tonë si shtet në turbulencat aktuale që po e dridhin rendin ndërkombëtar”, tha ai.

E treta dhe më goditësja, sipas Latifit, është se kultura politike vendore është reaguse dhe jo vepruese – prandaj edhe konkludon se “jemi indiferentë derisa (rreziqet) të na përplasen fytyrës”.

“Faktori i tretë është kultura jonë politike reaktive. Ne nuk kemi traditë politike të proaktivitetit ndaj problemeve dhe rreziqeve që na shfaqen, prandaj jemi indiferentë derisa ato na përplasën fytyrës”, përfundon Latifi në një përgjigje me shkrim për Nacionale.