Hyrja e Xhandarmërisë së Serbisë brenda territorit të Kosovës, ku sipas raportimeve një person është plagosur dhe rrëmbyer, ka ngritur seriozisht shqetësimet për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin në veri të vendit.
Ky incident, që dyshohet se ka ndodhur në afërsi të vijës kufitare, është cilësuar si një provokim i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të Kosovës dhe si përpjekje e Serbisë për ta tensionuar situatën në terren.
Për rastin kanë reaguar Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, KFOR, Policia e Kosovës si dhe organe tjera kompetente.
Presidentja Vjosa Osmani, e quajti këtë dëshmi shtesë të qasjes hegjemoniste të Serbisë, ku çdo qytetar që flet për regjimin autokratik të Vuçiqit, sulmohet e torturohet.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e quajti shkelje të rëndë të kufijve shtetërorë dhe vazhdë të politikave për frikësim dhe përndjekje ndaj qytetarëve që nuk i binden regjimit të Vuçiqit.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka nisur hetimet zyrtare, në koordinim me Prokurorinë Themelore të Mitrovicës – Departamentin për Krime të Rënda, si dhe me institucionet e tjera relevante të sigurisë.
Misioni i NATO-s në Kosovës, KFOR-i ka bërë të ditur se është në dijeni për rastin, ndërsa ka theksuar se situata e sigurisë përgjatë vijës kufitare administrative mbetet e qetë.
Ndërkaq, ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës, Radoica Radomiroviq, ka pretenduar se ka qenë dëshmitar në rastin e rrëmbimit të serbit Milan Vukashinoviq në Leposaviq nga xhandarmëria serbe, që sipas Policisë së Kosovës ndodhi më 1 nëntor.
Ish-ministri i mbrojtjes: Hyrja e xhandarmërisë serbe është alarm për sigurinë, duhet rritur bashkëpunimi me qytetarët dhe aleatët ndërkombëtarë
Ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, për FrontOnline ka folur pas ngjarjes së fundit në veri të vendit, ku Xhandarmëria e Serbisë ka hyrë në territorin e Kosovës, duke plagosur dhe rrëmbyer një person.
Ai e ka cilësuar këtë veprim si “alarmant” për sigurinë kombëtare dhe për praninë ndërkombëtare në Kosovë.
“Sigurisht që është alarmante për institucionet e sigurisë dhe për praninë ndërkombëtare, kështu që ishte dashur të merreshin masa shtesë, me e rritë bashkëpunimin me qytetarët në Veri dhe me i ndalu këto ngjarje që të mos ndodhin më”, ka deklaruar Berisha për FrontOnline.
Ai theksoi se strukturat e sigurisë duhet të jenë më të koordinuara mes vete dhe me partnerët ndërkombëtarë, për të parandaluar provokime të tilla.
“Kur jemi te institucionet e sigurisë, edhe me AKI-në edhe me Policinë, por edhe me praninë ndërkombëtare, duhet me e rritë bashkëpunimin, me i paraparë këto provokime të mundshme që mund të ndodhin në veri”, ka shtuar Berisha.
Hisen Berisha: Heshtja institucionale ndaj rastit në veri është po aq e rrezikshme sa vetë agresioni
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë në Kuvend, Hisen Berisha, për FrontOnline ka folur pas hyrjes së xhandarmërisë së Serbisë brenda territorit të Kosovës, ku është raportuar se një person është plagosur dhe rrëmbyer.
Ai ka paralajmëruar se incidenti paraqet një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe integritetin territorial të vendit.
“Rreziku për sigurinë kombëtare është real dhe i shumëfishtë, qoftë juridik, institucional dhe ushtarak. Nëse një forcë e armatosur e shtetit fqinj mund të hyjë brenda territorit tonë, të plagosë e të marrë peng një qytetar, pa asnjë reagim të menjëhershëm nga institucionet e Kosovës apo partnerët ndërkombëtarë, atëherë kemi të bëjmë me legjitimim të heshtur të agresionit”, ka deklaruar Berisha.
Sipas tij, institucionet e sigurisë duhet të reagojnë me vendosmëri dhe koordinim të plotë për të garantuar kontrollin efektiv të territorit dhe për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të ngjashme.
“Institucionet tona të sigurisë duhet të kenë përgjigje të koordinuar dhe të vendosur, jo vetëm për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla, por për të riafirmuar kontrollin efektiv në çdo centimetër të territorit të Republikës së Kosovës’’, ka shtuar ai.
Berisha ka kërkuar gjithashtu që përgjegjësi të mbajnë edhe misionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.
“Duhet të kërkohet përgjegjësi nga KFOR-i dhe EULEX-i, të cilët kanë mandat të qartë për të mbrojtur kufijtë dhe rendin juridik të Kosovës”, ka theksuar ai për FrontOnline.
Ai ka paralajmëruar se mungesa e reagimit institucional e dobëson pozicionin e Kosovës dhe e bën vendin më të ekspozuar ndaj provokimeve të ardhshme.
“Heshtja institucionale në këtë rast është po aq e rrezikshme sa vetë agresioni. Sepse heshtja, në rrethana të tilla, nuk është neutralitet, por është legjitimim i shkeljes së sovranitetit. Dhe Kosova nuk mund të ndërtojë paqe e siguri duke pranuar në heshtje cenimin e saj territorial”, ka përfunduar Berisha.
Ramadani: Inkurzioni serb, sinjal alarmi për sigurinë kombëtare të Kosovës
Ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, ka reaguar pas hyrjes së Xhandarmërisë së Serbisë brenda territorit të Kosovës, ku është raportuar se një person është plagosur dhe rrëmbyer.
Ai e ka cilësuar këtë veprim si një sinjal të qartë të politikës destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës.
“Inkurzioni i Xhandarmërisë së Serbisë brenda territorit të Kosovës është tregues i qartë se Serbia edhe më tutje dhe vazhdimisht provokon destabilitet. Sidomos në kohët kur protestat e studentëve në Novi Sad e në Beograd lëkundin pushtetin autoritar të Vuçiqit, lëvizja destabilizuese e Serbisë drejtohet kah Kosova”, ka deklaruar Ramadani për FrontOnline.
Sipas tij, në këso situatash, institucionet e sigurisë në Kosovë duhet të kenë qasje aktive dhe të forcojnë bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë.
“Shteti i Kosovës duhet të jetë proaktiv në fushën e sigurisë dhe të diplomacisë. Komunikimi intensiv me NATO/KFOR ka qenë dhe është domosdoshmëri praktike dhe përmbajtjesore”, ka theksuar ai.
Ramadani shtoi se raportet me NATO-n duhet të përmirësohen në mënyrë që bashkërendimi të jetë i vazhdueshëm dhe efektiv.
“Kosova dhe NATO duhet të përmirësojnë raportet e ndërveprimit në kohë reale 24/7. Për këtë është e domosdoshme arritja e aranzhmaneve të reja operacionale”, ka deklaruar ai.
Ai tha se për të arritur këtë objektiv, duhet të ndryshojë edhe qasja politike e vendit.
“Për të arritur këtë objektiv, qasja politike e Kosovës duhet të ndrrojë, duke bërë Kosovën aktive e jo reaktive”, ka përfunduar Ramadani.
Kajtazi: Hyrja e xhandarmërisë serbe tregon dështim të inteligjencës kosovare dhe izolim të institucioneve nga aleatët
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, ka folur për FrontOnline, pas hyrjes së Xhandarmërisë së Serbisë brenda territorit të Kosovës, ku është raportuar se një person është plagosur dhe rrëmbyer.
Ai e ka cilësuar këtë ngjarje si një zhvillim tejet shqetësues, që sipas tij, tregon për dobësitë serioze në sistemin e sigurisë dhe mungesën e bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
“Kjo është tepër shqetësuese. Është një tregues i cili dëshmon për mundësi operative të Xhandarmërisë së Serbisë në thellësi të territorit të Kosovës, si dhe një dëshmi se shërbimi ynë inteligjent ka prezencë të kufizuar në ambientet ku planifikohet dhe zhvillohet veprimtaria kundër Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kajtazi.
Ai ka theksuar se ky aksion ka pasoja të dyfishta në aspektin e sigurisë.
“Gjithashtu, ky aksion shkakton së pari efektin e pasigurisë te të gjithë qytetarët serbë që janë lojal ndaj Republikës së Kosovës dhe së dyti, te çdo qytetar i përkatësisë shqiptare, i cili përndiqet nga shteti serb për aktivitetin politik e ushtarak të kohës së okupimit”, ka shtuar ai.
Kajtazi ka kritikuar ashpër reagimet institucionale, veçanërisht deklaratat e presidentes Vjosa Osmani dhe ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke thënë se ato nuk kanë pasur efekt praktik në arenën ndërkombëtare.
“Janë dëshpëruese deklaratat e Vjosa Osmanit dhe Xhelal Sveçlës drejtuar faktorit ndërkombëtar, kur nga këta të fundit askush nuk jua hapë telefonin”, ka theksuar ai.
Sipas tij, situata aktuale duhet të shërbejë si alarm për udhëheqësit e institucioneve të Kosovës që të reflektojnë dhe të riparojnë marrëdhëniet me aleatët strategjikë.
“Ky aksion duhet t’i shqetësojë edhe Vjosen edhe Xhelalin (e të tjerët), ngaqë mundësitë operative të shërbimeve inteligjente serbe janë të tilla që edhe atyre mund t’u trokasin në derë. Prandaj, është momenti i fundit të riparohet çdo gjë që është shkatërruar këto katër vite në raport me SHBA dhe BE”, ka deklaruar Kajtazi.
Ai potencoi se mungesa e reagimit nga faktorët ndërkombëtarë e bën situatën edhe më serioze.
“Sa e ndërlikuar është situata, mund ta kuptojmë nga fakti se në një akt kaq serioz nuk kemi reagim nga asnjë faktor relevant ndërkombëtar”, ka përfunduar ai.
Një shtetas i Republikës së Kosovës, me inicialet M.V. i nacionalitet serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe. Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar të hënën Serbinë për cenim të integritetit territorial të Kosovës. Ata kanë kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të reagojë.
Siç bëri të ditur Policia e Kosovës, ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 1 nëntor në një zonë të njohur si “pika zero”, në afërsi të Leposaviqit, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.












