Inaugurohet Qendra Trajnuese për Siguri Kibernetike

Kryeministri, Albin Kurti, u shpreh i lumtur për inaugurimin e Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike në Kosovë.

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e inaugurimit, ai tha se kjo qendër paraqet një angazhim e përkushtim dhe një arritje e mundësi domëthenëse në këtë rrugëtim, njofton Klankosova.tv.

“Epoka digjitale ka sjell mundësi të papara për progres dhe zhvillim, por edhe sfida të mëdha për mbarë njerëzimin. Nga sulmet kibernetike të sponzoruara nga shtetet jodemokratike, deri te rrjetet e sofistikuara të krimit kibernetik, bota ballafaqohet me situata të cilat kanë ndikim në ekonomitë e shteteve që cenojnë procese demokratike dhe kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe përderisa teknologjia vazhdon të përparojë, hendeku i aftësive në fushën e sigurisë kibernetik shkon duke u zgjeruar. Trajnimi dhe edukimi i profesionistëve dhe përdoruesve të teknologjisë, është rruga e vetme për kapërcimin e këtij hendeku në mënyrë që ata të pajisen me njohuritë dhe mjetet që u nevojten për t’u mbrojtur në mënyrë efektive nga kërcënimet kibernetike. Andaj është nder dhe kënaqësi që gjendem para jush sot këtu, e bashkë me juve për të shënuar një moment të rëndësishëm në rrugën që po e ndjek edhe Kosova drejt një hapësire kibernetike me të sigurtë”.

Ai poashtu tha se kjo qendër do t’i shërbejë institucioneve qeveritare publike por edhe entiteteve të infrastrukturës kritike në sektorin privat, njofton Klankosova.tv.

“Formimi i grupit punues për sigurinë kibernetike të infrastrukturës kritike me mbështetjen e programit të USAID-it, për digjitalizimin dhe qëndrueshmërinë e infrasrukturës kritike është dhe një iniciativë tjetër përmes së cilës kemi theksuar qasjen tonë gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë kibernetike. Kjo nismë dëshmon bindjen tonë se mbrojtja kibernetike është një përpjekje kolektive, do të jemi të sigurtë sepse jemi që të gjithë të sigurtë e që kërkon pjesëmarrjen si të institucioneve qeveritare ashtu edhe të sektorit privat e të akademisë. Kjo qendër i adreson shumë nga këto objektiva dhe parime të politikave tona, kjo qendër është një nga institucionet kyçe të parapara me ligjin e ri krahas agjencisë për siguri kibernetike, rregulloren për themelimin e së cilës e kam nënshkruar javën e kaluar. Trajnimet që do t’i ofrojë qendra do t’i adresojnë objektivat cilësore për zhvillimin e kapaciteve njerëzore në siguri kibernetike dhe krijimin e vetëdijes kolektive për rreziqe kibernetike. Qendra do të shtyjë para parime të gjithëpërfshirjes, parneritetit dhe të bashkëpunimit, si nga aspekti i përfituesve të trajnimeve gjithashtu edhe nga aspekti i ofruesve të trajnimeve. Qendra do t’i shërbejë institucioneve qeveritare publike por edhe entitetve të infrastrukurës kritike në sektorin privat. Trajnimet do të mbahen nga trajnerët e brendshëm në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-së, por edhe nga trajnerët e jashtëm”, u shpreh Kurti.

Ai poashtu tha se me hapjen e kësaj qendre, konfirmohet përkushtimi i qeverisë për një Kosovë të sigurtë, të qëndrueshme dhe të gatshme për të kontribuuar në sigurinë kibernetike, rajonale, kontinentale dhe globale, njofton Klankosova.tv.