Udhëheqësit ushtarakë të vendit bënë thirrje të përsëritura duke filluar nga e enjtja e pastaj të premten për ndihmë nga shtetet individuale me trupa të gardës, ndërkohë që ka informacion nga agjencitë e rendit se ka plane për protesta të dhunshme.
Guvernatorët u përgjigjën në forma të ndryshme: disa nuk pranuan të dërgojnë trupa, të tjerë dërguan disa dhjetëra forca, por pati edhe shtete që dërguan një mijë ushtarë të gardës.
FBI-ja dhe agjenci të tjera federale kanë dhënë alarmin se mund të ketë përpjekje për të sabotuar apo ndërprerë ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden, që nga ardhja e protestueve të armatosur, e deri tek vendosja e lëndëve plasëse.
Deri në ditën e inaugurimit pritet që në Uashington të jenë dislokuar mbi 25,000 trupa të Gardës Kombëtare.
Ndërkaq, sot një numër kryeqytetesh shtetërore janë përgatitur për protesta nga përkrahës të Presidentit Trump që nuk njohin fitoren e zotit Biden dhe këmbëngulin se zgjedhjet u vodhën.
Mbi 10 shtete kanë aktivizuar trupa të Gardës Kombëtare për të mbrojtur selitë e legjislaturave shtetërore ku pritet të mblidhen protestuesit. Aktivistët e lëvizjes anti-qeveritare “boogaloo” kanë njoftuar plane për protesta në të 50 shtetet amerikane. Shumë shtete kanë ngritur barriera mbrojtëse përreth objekteve institucionale, ndërkaq Teksasi dhe Kentaki kanë mbyllur plotësisht perimetrin rreth legjislaturës së tyre. Të shtunën pati protesta sporadike në shtete të ndryshme, por pa sfida sigurie pranë ndërtesave shtetërore.
Të mërkurën, zoti Joe Biden bën betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, në një atmosferë të pashembullt nën masa të jashtëzakonshme sigurie në përgjigje të shqetësimeve për protesta me dhunë dhe në mungesë të aktiviteteve festive si rezultat i koronavirusit./VOA.