Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imeri, në një intervistë për Ekonomia Online ka kërkuar nga Qeveria që të përshpejtojë nënshkrimin e kontratës kolektive dhe të nisë një plan urgjent për punësimin e rreth 4 mijë punëtorëve të rinj shëndetësorë, duke theksuar se mungesa e stafit po e rëndon seriozisht sistemin publik shëndetësor.
Ajo tha se sindikata tashmë ka kërkuar takim me Ministrinë e Shëndetësisë për të vazhduar punën me grupet punuese për kontratën kolektive, ndërsa theksoi se përballë kërkesave në rritje dhe mungesës së personelit, sistemi ka nevojë për investim të menjëhershëm dhe rritje të kapaciteteve njerëzore.
“Meqenëse e kemi pas një qeveri ose edhe një ministri në detyrë, nuk është që kemi mujt me i shtru vazhdimisht kërkesat për faktin që edhe ata si ministri në detyrë kanë pas kompetenca jo të plota, i kanë të kufizuara. Prandaj tash po presim që të reflektojnë karshi kërkesave të sindikatave në përgjithësi. Konkretisht Ministria e Shëndetësisë, ne i kemi bërë një shkresë, një email ministrit, i kemi kërku një takim të vazhdojmë aty ku kemi mbet me grupet punuese të cilat kanë punuar në drejtim të hartimit të kontratës kolektive, e cila na mungon që sa kohë dhe ka kriju shumë hendek përgjithësisht në institucionet shëndetësore. Kemi shpresë që do ta arrijmë një marrëveshje, një kontratë, të cilën e kemi edhe premtim prej ministrit në mandatin e kalum dhe po shpresoj tash që janë pjek kushtet që të nënshkruhet kontrata kolektive”, tha ajo
Imeri theksoi se shëndetësia duhet të trajtohet si prioritet nga ekzekutivi, duke vlerësuar se investimi dhe menaxhimi më i mirë do të reduktonin shpenzimet e qytetarëve për trajtime jashtë vendit.
“Konsideroj që qeveria këtë herë duhet ta nxjerrë si prioritet shëndetësinë, për arsye të, disa herë të cekura që shëndetësia publike ka nevojë më shumë se kurrë të investohet në të, të forcohet shumë për arsye të kërkesave të ndryshme dhe shpenzimeve që bëhen të kota jashtë në shtetet përreth, po edhe në shtetet më të largëta për të kërku një trajtim shëndetësor. Ne e dimë që shëndetësia është një oqean në vete me kërkesat. Megjithatë, po në qoftë se shtrohet si prioritet nga ana e qeverisë së tanishme, konsideroj që do të rregullohet mirë dhe ka mundësi vetëm duhet të ketë vullnet të punohet me përkushtim dhe të, thjesht ta shohim shëndetësinë publike si diçka që është shërbim dhe nevojë imediate e qytetarëve të Kosovës. Shpresat janë që këtë herë qeveria do ta trajtojë, sepse konsideroj që edhe vetë e kanë pa që shëndetësia ka nevojë shumë për investim, ka nevojë për një menaxhim shumë të mirë, dhe shpresat e sindikatës janë që do të bëhet pak më mirë se çka ka qenë”, tha ajo.
Duke folur për gjendjen aktuale, ajo përmendi mungesën e stafit, infrastrukturës dhe barnave esenciale, ndërsa vlerësoi se numri i punëtorëve shëndetësorë duhet të rritet ndjeshëm.
“Në përgjithësi ju e dini që shëndetësia edhe pse herë pas here është intervenu, po ka një kosto shumë të madhe, shëndetësia është shumë e shtrenjtë, e dini edhe në nivel të botës për shembull, nuk janë, nuk është shëndetësia një gjë që s’ka shumë kosto. Po momentalisht nuk është që është në gjendjen më të mirë të mundshme. Ju e dini që kemi probleme me infrastrukturën brenda institucioneve shëndetësore, kemi edhe mungesë të punëtorëve shëndetësorë në përgjithësi. Në disa prej klinikave tani ishte një konkurs dhe janë punësu një rreth 100 infermierë, po karshi kërkesave konsideroj që duhet të punësohen shumë më shumë, ose për t’iu ofru shteteve përreth, shteteve të rajonit mendoj që 3-4000 punëtorë minimumi duhet të punësohen në shëndetësinë publike për të plotësu kërkesat e qytetarëve. Shëndetësia nuk duhet të shihet si prodhim, që një sektor ose një klinikë ka kry kaq pacientë. Duhet të jetë një lloj preventive shëndetësia të shihet dhe të trajtohet me shumë delikatesë. E dini fort mirë që kemi akoma lista të pritjes në shumë klinika për shumë inçizime, kemi mungesë të barnave esenciale, kemi mungesë të infrastrukturës, kemi mungesë ndoshta edhe të mjeteve më të thjeshta për punëtorët shëndetësorë, t’u bazu edhe me një mantel ose me një veshje, mbathje që duhet ta kenë punëtorët shëndetësorë. Kam shpresë shumë se këtë mandat qeveria ka me trajtu me prioritet shëndetësinë”, tha ajo.
Sa i përket kushteve të punës dhe pagave, Imeri kërkoi rritje të koeficientit dhe zbatim të pagesës së rrezikshmërisë.
“Njeriu është si qenie, është në vazhdimësi në kërkim të më të mirës. Karshi inflacionit, karshi rritjes së çmimeve, konsideroj që pagat duhet të ndryshohen në përgjithësi, duhet të ketë rritje të pagave. Po ne kemi një shqetësim tjetër, gjë për të cilën do t’ia drejtojmë ministrit në takimin që besoj që do të na thërret, çështja e rrezikshmërisë e cila nuk, absolutisht nuk zbatohet. I kemi disa kujdestari të cilat në vazhdimësi, sidomos infermierët kanë në vazhdimësi këto kërkesa, kujdestaritë e ndryshme, fundjavat, janë disa të drejta të cilat konsideroj që duhet të avancohen përveç pagave që është jetike, është diçka që është e padiskutueshme dhe e thashë që bazuar në inflacionin duhet sigurisht që të ndryshohen, të bëhet ngritja e vlerës së koeficientit sipas pagës minimale ashtu qysh kanë pas proklamu më herët”, tha ajo
Kryetarja e sindikatës kërkoi gjithashtu heqjen e pagesës prej 3 eurove për shërbime për përcjellësit e pacienteve në Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, duke e cilësuar atë barrë të panevojshme për qytetarët.
Imeri nënvizoi se përcjellësit nuk qëndrojnë në klinika për komoditet, por për shkak të mungesës së stafit dhe barnave, duke qenë shpesh të detyruar të sigurojnë terapi apo mjete që mungojnë në repart. Në këto rrethana, sipas saj, ngarkesa emocionale e familjarëve shtohet edhe me presion financiar, gjë që e bën këtë pagesë të panevojshme dhe të padrejtë.
“SHSKUK ka thënë që është në bazë të një udhëzimi administrativ, po udhëzimi administrativ është një akt juridik i cili lëshohet nga ministri, dhe nuk është diçka, një akt që lypet shumë procedura për ta ndryshu, prandaj konsideroj që duhet të ndryshohet, duhet të hiqet kjo pagesë. Ndoshta dikush do ta sheh me syrin kritik për këtë që po e them, por konsideroj që është barrë shumë e madhe për qytetarin, sepse ju e dini, edhe duhet të jemi të sinqertë se në shëndetësinë publike më shumë frekuentojnë shtresat e mesme dhe ata të cilët kanë të hyra të mira dhe kanë një jetë pak më të ngritur, në shumicën e rasteve shkojnë nëpër spitalet private. Prandaj duke pasur parasysh këtë shtresë, këtë kategori e cila e frekuenton klinikën, domethënë QKUK-në në këtë rast, është një barrë shumë e madhe për arsye sepse pacienti ose përcjellësi do të paguajnë parking 4-5 euro, do të paguajnë një natë 3 euro po çështja është që sikur të rregullohet shëndetësia, sikur të bëhet punësimi fiks sa kërkon sipas rregulloreve, sipas legjislacionit sa lypën punëtorë shëndetësorë, në rrethana normale ose në një shtet normal infermieri kujdeset për pacientin. Mirëpo ne përveç përkujdesjes për pacientin ne e kemi dhe një shqetësim shtesë ku barnat zakonisht mungojnë disa prej tyre nëpër shumë klinika. Prandaj infermieri nuk mund të shkojë në barnatore private me ja ble këto barna ose mjetet të cilat i duhen për një intervenim. Prandaj me një farë forme, jo që edhe qytetari nuk besoj që rri me kënaqësi në QKUK për t’u kujdesur për familjarin, sepse me siguri lë punë keq atje në familjen e vet për t’u kujdesur për pacientin, për familjarin në këtë rast, dhe në qoftë se përveç gjendjes emocionale që e ka të ngarkuar me mjaftueshëm si përcjellës i familjarit, i ngarkohet edhe gjendja financiare prandaj konsideroj që duhet të shqyrtohet me shumë delikatesë, të shqyrtohet, edhe udhëzimi administrativ nuk është akt që s’mund të ndryshohet prej ministrit shumë shpejt edhe mendoj që është barrë e panevojshme për përcjellësit në këtë rast”, tha ajo.
Ajo shtoi se nëse synimi ka qenë largimi i përcjellësve nga klinikat, kjo nuk arrihet përmes tarifave shtesë, por përmes përmirësimit të kushteve dhe furnizimit me terapi dhe staf të mjaftueshëm.
“Në qoftë se qëllimi ka qenë për me i largu përcjellësit, kjo nuk është mënyra. Domethënë, nuk është mënyra sepse duhet t’i krijohen kushtet, duhet t’i jepet gjithë terapia të ketë pacienti dhe ta kenë përkujdesjen infermierore siç kërkohet me ligj dhe me rregullore në gjithë botën e, në gjitha shtetet e zhvilluara. Prandaj derisa s’i ka këto, e ke të pamundshme. Unë e shoh plot pacientë, përcjellës të pacientëve kur rrinë nëpër korridore, flenë në karriget e korridorit për ta pritur, kur mjeku, infermieri shkon edhe i kërkon që të blejë terapi për familjarin. Prandaj mos mendoni që është luks me qëndru në klinikë, është një përgjegjësi, është një, është shumë e rëndë me qëndru nëpër ambientet e klinikave përgjithësisht. Po besoj që do të ketë vullnet dhe do të shqyrtohet, nuk besoj që do t’i rëndojnë edhe më tej qytetarët me këtë pagesë”, tha ajo.










