Imami Maliqi mirëpret delegacionin nga KFOR-i amerikan, iu dhuron një hartë të Kosovës

Imami i xhamisë “Bedri Kamberi” në lagjen Kalabria të Prishtinës, Labinot Maliqi, ka pritur sot në një vizitë të veçantë përfaqësues nga Kampi i Ushtrisë Amerikane Bondsteel, në kuadër të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, transmeton KosovaPost.

Delegacioni përbëhej nga Kapelani Kolonel Walls, Kapelani Cropsey dhe bashkëpunëtorët e tyre nga Komanda Rajonale Lindje.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku u diskutuan tema me rëndësi të veçantë për bashkëjetesën, paqen dhe dialogun ndërmjet komuniteteve në Kosovë.

Imami Maliqi vlerësoi lart këtë vizitë dhe ndau me ndjekësit e tij fjalët prekëse të Kapelanit Walls, të shkruara në librin e përshtypjeve të xhamisë.

“Imam,

Dashuria jote për popullin tënd dhe për të gjithë njerëzit e shteteve të ndryshme, më sjell buzëqeshje në fytyrë dhe ngrohtësi në zemër. Faleminderit që ndan dashurinë e Zotit që e ke në zemrën tënde me të gjithë. Faleminderit gjithashtu për mikpritjen e vazhdueshme dhe ndërtimin e marrëdhënieve. Ti je me të vërtetë një bekim për mua, si në aspektin personal ashtu edhe profesional.
Zoti të bekoftë dhe të ruajtë gjithmonë! — Kapelani ushtarak LTC Walls, KFOR”

“I falënderoj nga zemra miqtë tanë për vizitën e tyre, për respektin dhe vlerësimin, si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm ndaj paqes, dialogut dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë. E falënderoj Zotin e Lartësuar për miqtë tanë të çmuar dhe të pazëvendësueshëm”, u shpreh Maliqi.

The post Imami Maliqi mirëpret delegacionin nga KFOR-i amerikan, iu dhuron një hartë të Kosovës appeared first on Kosovapost.net.