Masat antiCovid 19 të Ministrisë së Shëndetësisë, bazuar në rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik, janë groteske, joprofesionale dhe të gabuara.
Mbrojtja nga Covid 19, në formën e tashme, nuk është e qëlluar sepse:
-Covid 19 nuk është sëmundje aerogjene dhe as nuk ka vdekshmëri të lartë si për shembull Ebola. Covid 19 është infeksion që përhapet nga personi në person. Kjo tashmë ështe shkencërisht dhe botërisht e pranuar.
-Karantina ka kuptim vetëm nëse karantinohen pjesë të caktuara të vendit të prekura me infeksion për ta mbrojtur pjesën tjetër.
– Karantina për të qenë e sukseshme duhet të jetë e kufizuar në teritor por e plotë dhe pa përjshtim në atë teritor të kufizuar, si dhe të imponohet me masa strikte e të fuqishme. Qëllimi i saj është që t’ia mundësojë pjesës tjetër të vendit funksionimin normal derisa të ndalet plotësisht epidemia. E kështu ta ndihmojë edhe pjesën e karantinuar.
-Larja e duarve, mbrojtja e gojës dhe hundës, shmangja nga grupimet mes njerëzve dhe masat tjera të distancimit social, janë mjaftueshëm të efektshme dhe më të pranueshme nga qytetarët. Të moshuarve dhe atyre me sëmundje kronike duhet ofruar kujdes plotësues, këshilla e edukim se si ata mund ta mbrojnë vehten, por edhe modalitete që ata mos të izolohen e kufizohen deri në absurd.
-80 deri 90% të të infektuarve e kalojnë pa simptome ose me krejtë pak simptome.
-Popullata e Kosovës është e re, më pak se 10% të saj janë mbi 65 vjeç, që është mosha më rrezikuar për ndonjë formë më të rëndë të sëmundjes.
-90% të atyre që kanë forma të rënda të sëmundjes, janë ata me sëmundje tjera ekzistuese: hipertension, obezitet, sëmundje kronike mushkërore, diabet dhe sëmundje kardiovaskulare. Asnjë prej të sëmurëve që mjekohen në kujdes intenziv në nivel botëror, nuk është i moshës 0 – 19 vjeç, e numri i tyre me simptome të lehta i papërfillshëm.
-Covid 19 pas vetes lë imunitet solid, të mjaftueshëm për mbrojtje nga infeksioni i përsëritur me po të njejtin shkakatar për kohë të caktuar dhe kjo është gjithashtu shkencërish e vërtetuar.
-Infeksioni në ata që e kanë kaluar nuk përsëritet. Atyre që ju kanë dalë testet pozitive, pasi që një herë janë bërë negativ, janë ata tek të cilët testi ka qenë fals negativ. Testi për Covid 19 nuk është i standardizuar.
-Covid 19 mund të jetë mes nesh së paku deri më 2022, nëse në ndërkohë nuk zbulohet vaksinë, ose ndonje mjekim efikas. Mjekimet e deritashme nuk janë vërtetuar se janë të efektshme.
-Duhet lejuar të krijohet imuniteti kolektiv. Vetëm kjo e ndërprenë pandeminë. Vetëm kjo e parandalon apo e dobëson valën e dytë dhe valët tjera eventuale të epidemisë/pandemisë. E vaksinë efikase duket se nuk do të ketë së paku edhe një vit. Nuk mund të jetojmë në panik e ankth për një përiudhë të gjatë.
-Grupe pacientësh me sëmundje tjera janë margjinalizuar; janë pa kujdesin e duhur. Askush nuk ka shifra se sa prej tyre po vdesin për shkak të mjekimeve të munguara.
Improvizimet e Institutit të Shëndetit Publik nuk e zëvëndësojnë planin, kuadrin e teknologjinë e munguar, të nevojshme për këtë situatë.
Instituti të testojë shumëfish më shumë se deri tash (me shifrat e deritashme nuk mund të konkludohet asgjë në mënyrë meritore), institucionet e shtetit, në bashkëpunim më shtetet me përvojë, si Gjermania, të sigurojnë testet e nevojshme. Numri i testeve që Kosovës i kryen punë është sa numri i testeve që në Gjermani bëhen për një javë të vetme. Trokitja në derën e duhur në Gjermani, do ta bëjë këtë lehtësisht të mundur.
Popullata e këtij vendi do ta mund Covid 19, si edhe shumë e shumë epidemi e pandemi të tjera në të kaluarën. Për këtë jam plotësisht i bindur. Është në natyrën e njerëzimit kjo. Por mirëqenja jonë po rrezikohet me veprimet “ad hoc”, të bazuara në rekomandime joprofesionale apo të atyre që merren nën peshën e pasojave të mundshme në jetë njerëzish. Por gjërat duhet peshuar bazuar në fakte, e vendimet duhet të jenë të guximshme. Po e përsërisë edhe një herë – karantina për Kosovën është e gabuar, masat e antiCovid 19 të Institutit të Shëndetit Publik e të pranuara nga MSh, janë groteske dhe joprofesionale.
Kthimin i strukturuar dhe sa më parë në normalitet është i domosdoshëm. Mbikqyrja e ecurisë së epidemies të jetë e vazhdueshme, ndërsa veprimet e institucioneve të jenë konform situatës e jo bazuar në frikë e panik.
Ilir Tolaj është infektolog dhe profesor i sëmundjeve infektive