Njohësi i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, ka komentuar dëshminë e Christopher Hill.
Ibrahimi ka thënë se nëse Gjykata vendos me paanësi, duhet t’i lirojë udhëheqësit e UÇK-së.
Sipas tij, nëse ata dënohen, atëherë dënohet edhe Amerika.
Postimi:
A do ta lejojë SHBA që të njolloset roli i saj, në një ndër intervenimet më të suksesshme politiko-ushtarake të shekullit të kaluar?
Dëshmitë e ish-zyrtarëve amerikanë në Hagë po dërgojnë një mesazh të qartë mbi përfshirjen dhe rolin e administratës amerikane gjatë viteve 1998–1999 në Kosovë.
Këta zyrtarë kanë qenë zbatues të drejtpërdrejtë të politikës amerikane të asaj kohe, dhe fakti që po dëshmojnë sot me miratimin e administratës aktuale, tregon për vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e kësaj politike. Prania e përfaqësuesve të Ambasadës së SHBA-së në seancat gjyqësore është dëshmia më e qartë e kësaj përkrahjeje institucionale.
Nga këto dëshmi, bëhet e qartë se administrata amerikane ka luajtur një rol kyç në zhvillimet e asaj periudhe dhe se edhe sot qëndron fuqishëm pas asaj përfshirjeje dhe qëndrimi politik.
Sfidimi i pikave kryesore të aktakuzës së prokurorisë, forcon edhe më tej faktin se administrata amerikane ka përkrahur një luftë të drejtë, ndërsa pretendimet e prokurorisë rezultojnë të pabazuara.
Me këtë qëndrim, administrata amerikane nuk po mbron vetëm pastërtinë e luftës së UÇK-së, por edhe vetë rolin e saj në arritjen e rezultateve të asaj lufte.
Nëse drejtësia do të vendosë me paanësi, gjykata duhet të arrijë në të njëjtin përfundim: dënimi i disa udhëheqësve të UÇK-së do të nënkuptonte jo vetëm dënimin e vetë UÇK-së, por edhe të aleatit të saj kryesor, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.










