Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP) u bëri apel qytetarëve që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit që të mos e përdorin atë për pije.
Kjo për faktin se IKSHPK, gjatë monitorimit për cilësinë e ujit të pijshëm, “ka vërejtur ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit”.
“IKSHPK thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit”, u tha në njoftim.
Duke prezantuar hartën e pjesëve që furnizohen me ujë nga Badoci, IKSHPK tha se qytetarëve të prekur do t’iu sigurohet furnizim i pandërprerë me ujë të pijshëm nga Ujësjellësi Rajonal Prishtina përmes autoboteve.
Edhe në të kaluarën, IKSHPK-ja ka rekomanduar disa herë mospërdorimin e ujit të Badocit për pije, për shkak të rritjes së vlerave të manganit.
Mangani konsiderohet se kontribuon në shumë funksione trupore, përfshirë metabolizmin e kolesterolit, të glukozës e të karbohidrateve, në formim të kockave, në mpiksjen e gjakut, dhe në reduktimin e inflamacionit.
Por, sasia e tepruar e tij rrezikon kryesisht fëmijët nën 5 vjeç, pasi nga ekspozimi afatgjatë mund të përballen me probleme me kujtesë dhe përqendrim.
Përveç ujit, mangani gjendet edhe në ajër dhe shumë ushqime, përfshirë drithërat, fasulet, arrat dhe çajin, gjithmonë në vlera të pranueshme për trupin e njeriut.
The post IKSHPK: Uji nga Liqeni i Badocit nuk duhet të përdoret për pije appeared first on Kosovapost.net.