IKD, FOL dhe INPO hapin javën kundër korrupsionit me grevë, si thirrje për veprime urgjente institucionale

Koalicioni i organizatave joqeveritare i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), kanë nis “Javën Kundër Korrupsionit 2025” me grevë njëditore, si formë proteste ndaj kapjes së institucioneve dhe mungesës së reformave.

Organizatat njoftuan se vendimi për grevë vjen pas paralajmërimeve të vazhdueshme për stagnimin në sundimin e ligjit, të cilat, sipas tyre, janë injoruar nga institucionet.

Gjatë konferencës, Arrita Rezniqi, Hulumtuese e Lartë Ligjore në IKD, tha se greva është një mesazh i qartë kundër politikave dhe praktikave që, sipas saj, po e paralizojnë funksionimin e shtetit.

“Sot, ne kemi vendosur ta nisim këtë javë me një veprim simbolik, të cilin e keni parë edhe para ndërtesës, ku baneri i shpalosur njofton për mbajtjen e grevës njëditore, si formë proteste kundër korrupsionit dhe kundër politikave që po e paralizojnë funksionimin e shtetit. Vendosëm të hyjmë në grevë sepse si organizata të shoqërisë civile në vazhdimësi kemi reaguar ndaj shkeljeve të ligjit, kapjes së institucioneve, stagnimit të reformave dhe kemi bërë thirrje për domosdoshmëri të luftës kundër korrupsionit. Kjo vazhdimësi e jona kemi paralajmëruar për fenomenet që sot janë bërë sistemike, por përkundër angazhimit tonë, analizave konkrete dhe rekomandimeve të ofruara, nuk ka pasur fatkeqësisht reagim nga institucionet shtetërore, nuk ka pasur reflektim dhe nuk ka pasur angazhim konkret në adresimin e këtyre çështjeve”, tha ajo.

Rezniqi listoi një sërë çështjesh që, sipas saj, janë dëshmi e një situate të rënduar institucionale. Ajo theksoi se mungesa e reformës në drejtësi dhe mosfillimi i vettingut po e minojnë funksionimin e sistemit, ndërsa u ndal edhe te presioni, sulmet dhe bllokimet në sektorë të ndryshëm.

“Mungesa e reformës së plotë në drejtësi, mos fillimi i vettingut në drejtësi, korporatizimi në sistemin prokurorial, ligjet kundër-kushtetuese, mungesa e Strategjisë kundër Korrupsionit, pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA-të, mungesa e dialogut social, sulmet ndaj gazetarëve, shoqërisë civile, institucioneve të drejtësisë, e bllokimi i fondeve të planit të rritjes së BE-së, janë vetëm disa prej ngjarjeve dhe problemeve që në vazhdimësi po e dëmtojnë jetën e qytetarëve, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe besimin në demokraci”, tha ajo.

Rezniqi theksoi se greva nuk është thjesht një veprim simbolik, por një thirrje për përgjegjësi dhe reflektim institucional. Ajo kërkoi veprim të menjëhershëm, duke sqaruar qartë pritjet e organizatave.

“Për këto arsye, ndër të tjera, ne e kemi vlerësuar të nevojshme që sot të japim një mesazh të fortë dhe të qartë se vendi jonë ka nevojë për veprime konkrete, për përgjegjësi dhe institucione funksionale dhe mbi të gjitha ka nevojë për sundim të ligjit, e jo për inkurajim të korrupsionit. Ky veprim i joni sot është thirrje për të gjitha institucionet e shtetit, për respektim të mandatit kushtetues, përgjegjësisë publike dhe detyrimit për të garantuar integritet, transparencë dhe funksionim demokratik”, tha ajo. /Ekonomiaonline/