Instituti i Kosovës për Drejtësi ka dorëzuar zyrtarisht kërkesë te Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe te kryetarët e grupeve parlamentare për inicimin e një debati parlamentar lidhur me moszbatimin e legjislacionit në fuqi për realizimin e të drejtës në pensionin e moshës krahas pensioneve dhe beneficioneve që u takojnë kategorive të dala nga lufta.
Sipas IKD-së, legjislacioni aktual ua njeh këtyre kategorive të drejtën për përfitimin e dy pensioneve, megjithatë kjo e drejtë, sipas institutit, vazhdon të mos zbatohet në praktikë nga institucionet përgjegjëse, pavarësisht se është konfirmuar edhe përmes praktikës gjyqësore deri në nivelin e Gjykata Supreme e Kosovës.
Përfaqësuesja e IKD-së, Arrita Rezniqi, tha se pas pranimit të shqetësimeve fillestare, instituti ka kryer analizë të detajuar juridike dhe ka konstatuar se legjislacioni në fuqi u lejon qytetarëve të këtyre kategorive përfitimin e dy pensioneve, duke shtuar se kjo e drejtë është konfirmuar edhe përmes praktikës gjyqësore deri në Gjykatën Supreme.
“Që në fillim kemi sqaruar dhe vazhdojmë ta sqarojmë se Ligji Nr. 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Viktimave civile dhe Familjarëve të tyre, është ligj i veçantë në raport me Ligjin Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Si ligj special, në nenin 23 paragrafi 2, ai përcakton se “shfrytëzuesit e pensionit bazë mund të realizojnë të gjitha të drejtat dhe beneficionet e përcaktuara me këtë ligj, nëse i përmbushin kushtet dhe kriteret sipas dispozitave të këtij ligji”, tha ajo.
Ajo shtoi se asnjë dispozitë e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe as ndonjë akt tjetër normativ nuk e ka shfuqizuar këtë dispozitë, duke theksuar se për rrjedhojë përfituesit e pensionit të moshës kanë të drejtë edhe për pensionin nga ligji për kategoritë e dala nga lufta nëse i plotësojnë kushtet.
Rezniqi tha se megjithatë kjo praktikë vazhdon të zbatohet në departamentet e pensioneve, ku shumë qytetarë marrin vendime refuzuese për një të drejtë që sipas saj u takon qartë me ligj.
“Gjatë më shumë se dy viteve, IKD ka ndërmarrë aktivitete të shumta me synim arritjen e një zgjidhjeje të përgjithshme, kolektive dhe të përhershme. Për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e ekzekutivit, jemi detyruar që paralelisht të ndjekim realizimin e të drejtave individuale përmes rrugës gjyqësore, nëpërmjet Qendrës për Ndihmë Juridike Falas. Vetëm gjatë kësaj periudhe kemi paraqitur rreth 700 padi të kësaj natyre”, tha ajo.
Hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, tha se duke qenë se bëhet fjalë për problem sistemik, institucionet nuk duhet ta shohin normën ligjore vetëm në mënyrë strikte për zbatim, por edhe në dimensionin social të saj.
Ai tha se kërkohet zhvillimi i një debati parlamentar brenda një periudhe të shkurtër kohore, në mënyrë që institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministria e Financave e Kosovës, të sqarojnë arsyet pse nuk është nxjerrë akti nënligjor për realizimin e të drejtës për pension të dyfishtë dhe të adresohen pasojat juridike, sociale dhe financiare të kësaj situate.
“Pra, ne presim shumë shpejt që kryetarët e grupeve parlamentare… po kërkojmë edhe nga kryetarja e Kuvendit që ta ushtrojë autoritetin e vet, i lejohet me rregullore edhe me Kushtetutë që të thërrasë një seancë, duke pasur parasysh edhe prej partisë prej nga vjen, por edhe partitë e tjera të cilat kanë kontribuuar në miratimin e një ligji të tillë dhe në funksion të rritjes së kontrollit parlamentar, do të duhej që një seancë e tillë të thirret sa më shpejt”, tha ai.










