Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka mohuar paralajmërimin e Komunës së Prishtinës për erëra të forta në kryeqytet, duke thënë se njoftimi nuk mbështetet në të dhënat e institutit.
Sipas IHMK-së, parashikimi për 25 janar 2026 parashikonte vetëm erëra me shpejtësi të lehtë deri mesatare, që do të sjellin reshje shiu nga dita e hënë.
“IHMK sqaron se njoftimi i Komunës për erëra të forta nuk qëndron dhe nuk është dhënë nga IHMK,” thuhet në njoftim, i cili u fshi pas disa minutash. Më pas, instituti e quajti keqkuptim publikimin e fshirë dhe theksoi se nuk ka mosmarrëveshje me Komunën e Prishtinës.
Komuna kishte paralajmëruar erëra mesatare deri të forta, më të theksuara në zonat lindore dhe kodrinoro-malore, të cilat pritet të dobësohen nga mëngjesi i së hënës.










