7 futbollistë të afruar, 15 të larguar. Në llogaritje nuk hyjnë 5 lojtarët (Saelemaekers, Bennacer, Adli, Okafor dhe Lazetic) që janë kthyer nga huazimet diku tjetër, të cilët mbeten ende pronë e klubit kuqezi, si dhe 7 lojtarët që kanë dalë nga Milanello me parametër zero (Florenzi, Jovic dhe Vasquez), ose për mungesë të blerjes përfundimtare (Walker, Joao Felix, Sottil dhe Abraham).
Në total, flasim për 33 lojtarë që kanë lëvizur në një formë apo një tjetër. Kanë mbetur ende më shumë se dy javë nga fundi i merkatos së verës, të paktën edhe një tjetër blerje pritet në sulm, por vera e Milanit tashmë mund të përmblidhet me një fjalë: revolucion.
Pas vendit të tetë në kampionat dhe një sezoni që, pavarësisht trofeut të parë të epokës “RedBird”, Superkupës Italiane të ngritur në Riad, të quhet zhgënjyes është pak, duhej një kthesë e fortë. Para se të ndryshonte në fushë, “Djalli” ndryshoi lëkurë edhe jashtë saj: Igli Tare drejtor sportiv, Massimiliano Allegri trajner. Dy figura kyçe në ridizenjimin e skuadrës kuqezi.
Mesfusha – Deri më tani për afrimet, Milani ka shpenzuar vetëm për kartonë 102.5 milionë euro, shumë e cila me bonuset mund të bëhet 111.5 milionë. Investimet më të rëndësishme? Në zemër të çdo formacioni qëndron mesfusha. Ardon Jashari është blerja më e shtrenjtë (34 milionë+3 milionë bonuse nga Club Brugge), Samuele Ricci i dyti (23+2 milionë, blerë te Torino).
Plus afrimi luksoz me parametër zero, Luka Modric, që riktheu “Topin e Artë” në Itali, i fundit kishte qenë Cristiano Ronaldo. Sigurisht, në mesfushë Milani shiti edhe një nga pjesët e tij më të çmuara, Tijjani Reijnders, i blerë nga Manchester City i Guardiolës për 57+15 milionë bonuse. Gjithsesi, çdo revolucion kërkon sakrifica të dhimbshme.
Krahët dhe mbrojtja – Zonat e tjera të ndryshuara krejtësisht janë krahët në mbrojtje. Në të majtë u largua Theo Hernandez (25 milionë tek Al Hilal) dhe mbërriti Pervis Estupiñán, i pari ekuadorian në historinë e “Djallit”. Nga mbrojtësit e djathtë të sezonit 2024-2025 (Emerson Royal, Calabria, Florenzi, Walker dhe Jimenez) ka mbetur vetëm i riu spanjoll, ish-i i Real Madridit (Jimenez).
Në kompensim, Tare ka besuar shumë te Zachary Athekame dhe kthimi i Alexis Saelemaekers nga huazimi te Roma, plus lojtari i gjithanshëm Koni De Winter (20 milionë euro), të cilin Allegri e ka stërvitur te Juventusi, përpara se të kalonte te Genoa. Megjithatë, belgu është kryesisht qendërmbrojtës dhe nuk është rastësi që u mor menjëherë (brenda më pak se 48 orësh) pas largimit të Thiaw, i transferuar te Newcastle për 40 milionë.
Pjesa tjetër – Në sulm, pritet ende qendërsulmuesi i ri. Ndërkohë, te largimet mbeten të pashlyera të paktën tre emra: Bennacer, Adli dhe Lazetic. Ata nuk bëjnë pjesë në ekipin e parë dhe janë zyrtarisht në merkato, në pritje të një destinacioni tjetër.
Igli Tare ka punuar shumë edhe me të rinjtë (nga Camarda dhe Comotto të huazuar respektivisht te Lecce dhe Spezia, te Liberali i dërguar te Catanzaro me 50% mbi shitjen e ardhshme) dhe ka arritur të zgjidhë situata delikate (nga Emerson Royal i dërguar te Flamengo te Morata që u kthye nga Galatasaray për të përfunduar te Como). Kështu, revolucioni është thuajse i kompletuar, mungon vetëm përpjekja e fundit për sulmuesin.
The post Igli Tare “revolucionarizon” Milanin, 7 blerje dhe plot 15 largime gjatë kësaj vere appeared first on Telesport.