Një shqiptar në Olimpin e futbollit të madh dhe historik italian. Igli Tare është thuajse praktikisht drejtori i ri sportiv i Milanit.
Klubi I madh në Apenine vendosi në favor të tij pas shumë muajsh kërkimi dhe analizash, ndërsa zyrtarizimi pritet të bëhet shpejt.
E përditshmja kryesore sportive në Itali, “La Gazeta delo Sport” informon se drejtuesit e Milanit kanë vendosur që Tare të jetë në krye të procesit të rindërtimit të skuadrës pas dështimit të plotë këtë sezon.
Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, që luajti disa vjet në Serinë A, u zgjodh për shkak të përvojës së madhe që pati si drejtor sportiv tek Lacio, ku punoi për 17 vjet, pasi mbylli karrierën si futbollist.
Ai pati takime me drejtuesit si Ibrahimoviç e Kardinale, dhe më pas me administratorin e deleguar, Furlani, duke qenë favorit që nga mesi I muajit prill.
Natyrisht, shqiptari pati konkurrencë për këtë post, ndonëse ishte e vetmja kandidaturë me përvojë të madhe në kampionatin italian.
Menjëherë pasi doli në dritë lajmi, “La Gazeta delo Sport” kujtoi se dikur, kur ishte sulmues I Breshës, Tare I shënoi dy gola kuqezinjve në një ndeshje të Serisë A në 26 gusht 2001, në duelin që përfundoi 2-2.
Në atë kohë, dyshja breshane ishte Roberto Baxho-Igli Tare.
Padyshim, kjo detyrë tek Milani është kulmi I karrierës së tij drejtuese, është një vlerësim I madh, por gjithashtu edhe përgjegjësi.
Nuk mund të komentohet ndryshe kur bashkohesh me kupolën drejtuese të një klubi 7 herë kampion të Europës dhe 19 herë kampion të Italisë.
Gjithsesi, e kaluara tek Lacio flet shumë me 3 Kupa të Italisë të fituara, ashtu si tre Superkupa italiane, një vend të dytë në Serinë A dhe dy kualifikime në fazën e grupeve në Champions.