IFIMES-i me tri simpati: Kurtin në Kosovë, Kariqin në Serbi dhe Lukashenkon në Bellarusi

Njerëzit që nuk i do Evropa dhe Perëndimi, instituti prorus IFIMES i bën mysafirë nderi, anëtarë bordi ose ua kreh bishtin me analiza mikluese. I ashtuquajturi Institut Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin — ku ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, gëzon jo pak ndikim — i ka dhënë jehonë ‘letrës’ së anëtarit të vet, Bogoljub Kariq, ku bëhen thirrje që ShBA e Rusia t’i shtrijnë dorën njëra-tjetrës për bashkëpunim në energjetikë. Është fjala për miliarderin dhe oligarkun serb, i sanksionuar nga ShBA, BE dhe Mbretëria e Bashkuar, i afërt dikur me Millosheviqin e tani me Lukashenkon në Bellarusi. Pyetja që shtrohet natyrshëm e nuk merr lehtë përgjigje është se si është vallë e mundur që IFIMES-i e vlerëson njësoj Albin Kurtin në Kosovë, Bogoljub Kariqin në Serbi dhe Aleksandr Lukashenkon në Bellarusi? Të parin prej 2016-s e ka mysafir nderi dhe prej 2019-s e pajis rregullisht me ‘analiza’ favorizuese; të dytin e bën anëtar bordi në institut; kurse të tretin e portreton për gjoja të arritura ekonomike.

Col Mehmeti

Mbështetës i shpallur i Lëvizjes Vetëvendosje, i ashtuquajturi Instituti Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin (IFIMES) është kthyer në një konak mikpritës për njerëzit që kanë telashe serioze me ligjin.

Tash së mbrami, ky institut me seli në Lublanë i ka dhënë hapësirë të mjaftueshme oligarkut famëkeq serb, Bogoljub Kariq për të botuar një ‘letër të hapur’ drejtuar presidentit të ShBA-ve, Donald Trump, dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin.

Pavarësisht se është i zezëlistuar dhe sanksionuar nga BE-ja për shkak të lidhjeve me Lukashenkon dhe regjimin e tij në Bellarusi, biznesmeni serb i ka dhënë vetes të drejtë që të ligjërojë se si dy presidentët në fjalë kanë përgjegjësi historike si dorëzanë të stabilitetit energjetik dhe paqes botërore.

“Bota qëndron në një pike kthese historike, ku dy fuqitë udhëheqëse, Shtetet e Bashkuara dhe Federata ruse, kanë mundësinë unike që ta zgjidhin njëherë e mirë çështjen e sigurisë energjetike dhe stabilitetit global. Tani, teksa ju rifilloni bisedimet për paqe në Ukrainë, një mundësi e re po shpaloset për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme strategjike që do t’i hiqte shkaqet rrënjë të tensioneve globale mbi resurset e energjisë”, ka shkruar biznesmeni serb.

Favorizim i interesave ruse

Duke favorizuar interesat ruse, Kariqi më tej propozon edhe ‘hapa’ se si do të arrihej ky stabilitet.

Sipas tij, ShBA dhe Rusia duhet ta marrin përgjegjësinë për shpërndarjen e energjisë, veçmas gazit natyror; tubacionet e gazit ‘Nord Stream’ duhet të rikthehen nën garancat e përbashkëta të ShBA-ve dhe Rusisë; dhe të themelohet një aleancë mes ShBA-ve dhe Rusisë në fushën e energjisë.

“U bëj thirrje presidentëve Trump dhe Putin të punojnë së bashku për të siguruar stabilitet global të energjisë dhe një rritje gjithëpërfshirëse ekonomike, jo vetëm për Evropën por edhe për Rusinë, Shtetet e Bashkuara dhe gjithë botën”, mbyllet letra e biznismenit serb.

Anëtar i IFIMES-it

Edhe pse instituti slloven është përkujdesur që të theksojë se “kjo nismë përfaqëson pikëpamjet e Bogoljub Kariqit dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimin zyrtar të IFIMES-it”, letra e ish-bashkëpunëtorit të Millosheviqit është shpërndarë me emailin zyrtar të IFIMES-it në një rrjet adresash elektronike të mediave në rajon.

Ç’është e vërteta, Kariq është anëtar i Bordit Këshillimor të IFIMES-it.

Siç shihet nga informacionet e vetë Institutit që i ka afishuar në mediat e veta sociale, biznesmeni serb vjet ka gjetur hapësirë që të dalë me analizën e tij “Serbia, rinia dhe BE”.

Një biznesmen që e filloi veprimtarinë në Pejë

Po cila është ana e errët e këtij biznesmeni?

I lindur më 1954 në Pejë, Bogoljub Kariq ka diplomuar për gjeogradi në Universitetin e Prishtinës, kurse në Universitetin e Nishit ka marrë gradën master për ekonomi.

Siç jepet në një jetëshkrim të afishuar në faqen e IFIMES-it, Kariq, bashkë me vëllezërit e tij, në fillimvitet ’70 themeloi në Pejë një fabrikë familjare ‘Braća Karić’ (Vëllezërit Kariq).

Në dekadat në vijim, ai e zgjeroi këtë biznes edhe në fusha si telekomunikimet, ndërtimtaria, financat, tregtia e mediat.

Jashtë këtij profili prej ndërmarrësi, është edhe ana tjetër e akullnajës së Kariqit.

Më 2006, vetë Serbia, përmes Interpolit, lëshoi fletëarrest për të.

Asokohe, ai besohej se ishte arratisur në Rusi, ku e vazhdoi pa ferrë në këmbë aktivitetin e tij.

Sipas organeve të drejtësisë, vëllezërit Kariq dyshoheshin se kanë bartur 60 milionë euro nga llogaritë e Mobtelit serb te BK Group dhe llogari të tjera private.

Gjithçka filloi në kohën e Millosheviqit

Gjatë sundimit famëkeq të Millosheviqit, Kariqi ishte njëri nga më të përkëdhelurit e regjimit.

Falë këtyre lidhjeve, ai më 1994 e fitoi lejen për të parën telefoni mobile rajonale, e cila i solli atij fitime marramendëse përmes Mobtelit.

Lidhjet e Kariqit me Millosheviqin qenë tjerrur në plot prej raporteve të Departamentit të Shtetit, ndaj ai edhe qe zezëlistuar nga Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në veprimtari kriminale si trafikimi i armëve dhe shpërlarja e parave.

‘Fundi’ i perandorisë së tij në Serbi përkoi me përfshirjen e tij në politikë, përpjekjet për të blerë deputetë dhe suksesin e tij në zgjedhjet e 2004-s.

Kariq, të cilin faqja Networthleaks ia vlerëson pasurinë në 16 miliardë e 700 milionë dollarë, e ka pasur mbarë edhe në Bellarusi.

I përkëdheluri i Lukashenkos dhe sanksionet nga ShBA dhe BE

Kompania ‘Dana Holdings’, e cila është në pronësi të Bogoljub e Dragomir Kariqit, ishte prapa projektit miliardësh ‘Minsk World’ e cila synonte ndërtimin e një qendre financiare dhe ndërtesave të banimit në kryeqytetin bjellarus.

Në dhjetor të 2020-s, BE dhe Mbretëria e Bashkuar i kishin vendosur sanksione kësaj kompanie duke e akuzuar për përfitime nga regjimi i Lukashenkos apo për përfitime prej tij.

Në gusht të 2021-s, ShBA, më saktë Departamenti i Thesarit, e cilësoi familjen Kariq si “kuleta e ndërtimit të Lukashenkos”.

Në qershor të 2022-s, Bogoljub Kariq u sanksionua nga BE për mbështetjen e Lukashenkos.

Vendimi i Këshillit të BE-së e pati afishuar vendimin në gazetën zyrtare të BE-së.

Aty ishte thënë se biznesmeni dhe politikani Kariq me anëtarët e familjes së tij kanë zhvilluar një rrjet kompanish të patundshmërive në Bellarusi dhe kanë kontakte me familjen e Lukashenkos.

“Ai është i lidhur ngushtë me kompaninë Dana Holdings dhe me vartësen e saj të dikurshme Dana Astra, dhe vazhdimisht ka përfaqësuar këto entitete legale gjatë takimeve me Lukashkenkon”.

BE beson se kompanitë e lidhura me Kariqin kanë pasur trajtim preferencial nën regjimin e Lukashenkos, përfshirë mospagim taksash dhe dhënie toke për patundshmëri, të gjitha këto falë lidhjeve me presidentin bellarus dhe shpurës së tij.

Bashkëpunëtori’ shqiptar i Kariqëve?

Në janar të 2020-s, ishte vënë re një ‘lidhje’ e çuditshme e vëllezërve Kariq me një bashkëvendës të tyre shqiptar nga Peja.

Fjala ishte për avokatin, Adem Gorani, ish-kryetar i Partisë së Drejtësisë në Pejë, por edhe anëtar i dikurshëm i filialit lokal të Bashkësisë Islame të Kosovës në këtë qytet.

Asokohe edhe ishte afishuar një fotografi e meshës së mbajtur në Patriarkanën e Pejës, gjhatë varrimit të nënës së vëllezërve Kariq, ku i pranishëm kishte qenë edhe vetë Gorani.

IFIMES, lidhjet që çojnë në Rusi

I themeluar më 2002, IFIMES (shkurtesë për Mednarodni Inštitut za Bližnjevzhodne in Balkanske študije) pretendon se kryen analiza politike, ekonomike e sociale, dhe se ka status konsultativ në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara (ESOSOC) që prej 2018-s.

Ana financiare qëllon të jetë pika më shumëpërfolur e tij, edhe pse zyrtarisht IFIMES-i pretendon se financohet nga anëtarësia, nga shërbimet trajnuese që i organizon, fushatat fondmbledhëse apo donacionet dhe grantet prej burimeve të brendshme.

Ky institut, drejtuesit e të cilit apostrofohen se mbajnë lidhje me shërbimin e fshehtë rus, prej vitit 2016 e ka bërë mysafir nderi kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ndërsa prej 2019-s, IFIMES-i ia ka mbajtur aktivisht anën Vetëvendosjes, ashtu siç bëri edhe para një muaji me analizat në mbështetje të Lukashenkos në Bellarusi dhe Kurtit në Kosovë.