Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, derisa ka folur për rrezikun e humbjes së fondeve të komunave, ka thënë se mund të ketë humbje deri në 15 milionë euro.
Sipas tij, kjo humbje mund të ndodhë si pasojë e neglizhencës institucionale të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, të cilën e ka akuzuar për mostransparencë ndaj komunave.
Të hënën në “60 Minuta” të KTV-së, ai ka thënë se kjo ministri është e mbyllur hermetikisht ndaj komunave.
“Komunat mund të humbin deri në 15 milionë euro si pasojë e neglizhencës institucionale të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Këtë shqetësim e kemi ngritur pasi jemi në komitetin drejtues të projektit ‘Demos’. Ky projekt udhëheq fondet për skemat e grantit të performancës ku komunat konkurrojnë, shpallen më të mirat dhe në bazë të saj marrin fonde. Po shpresojmë që këto mjete financiare nuk do të humbin. Këto 15 milionë euro janë mjete të dedikuara për komuna, jo për nivelin qendror andaj MAPL-ja duhet të jetë më transparente ndaj komunave. Ata e kanë obligim ligjor të jenë transparent dhe jo të mbyllen në mënyrë hermetike dhe të mos komunikojnë fare me kryetarët e komunave”, ka thënë ai.
Ibrahimi ka shtuar se përgjatë viteve, komunave u janë marrë mbi 140 milionë euro.
“Rreth 15 milionë euro nuk janë pak para për komunat. Ky është granti i skemës së performancës. Komunave përgjatë këtyre viteve iu kanë marrë mbi 140 milionë euro dhe shumica absolute e tyre kanë qenë të dedikuara për investime kapitale”, ka thënë ai.