Kushdo që ka praktikuar sport, në çfarëdo niveli, e di mirë që në fushë shpesh fluturojnë fjalë që zakonisht mbeten aty. Nuk ju ka ndodhur ndonjëherë t’i bërtisni mikut më të mirë për një pasim të gabuar, një rast të humbur apo një faull të panevojshëm? Patjetër që po, edhe duke luajtur në kalçeto. Megjithatë, le të ngjitemi në nivelet më të larta, te profesionistët.
Tensioni, rëndësia e ndeshjes, rivaliteti, e gjitha kjo bën që përplasjet verbale të ashpërsohen, duke u kthyer në ofendime të rënda. Kjo ndodhi katër vite më parë, në derbin e Kupës së Italisë mes Interit dhe Milanit. Protagonistët? Zlatan Ibrahimovic dhe Romelu Lukaku. Sot, belgu ka zgjatur një “degë ulliri” drejt suedezit. “A jam sqaruar me të? – tha në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”. – Nuk është e nevojshme, por kam respekt për karrierën e tij. Ka qenë një futbollist i veçantë”.
Siç dihet, përplasja verbale ndodhi të martën e 26 janarit 2021, në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Ibra kaloi Milanin në avantazh në minutën e 31-të. Nga fundi i pjesës së parë, tensioni mes tij dhe Lukakut shpërtheu. Suedezi e provokoi me një buzëqeshje dhe i tha: “Thirre nënën tënde, shko bëj ritualet e tua…, gomar i vogël”.
Fjala ishte për një episod të ndodhur disa vite më parë, kur Lukaku refuzoi rinovimin me Evertonin, pavarësisht një oferte të shkëlqyer, sepse nëna e tij Adolphine, me origjinë nga Kongo, pas një rituali “vodoo” kishte sugjeruar që djali të nënshkruante me Chelsea. Në fund, Romelu shkoi te Manchester United, ku takoi pikërisht Ibrahimovic.
Natyrisht, Lukaku nuk qëndroi pa reaguar: “Ti do të flasësh për nënën time? Pse? Ik q… ti dhe nëna jote. Nëna jote është një pu*anë. Hajde flasim për nënën tënde, bir k…” Një episod i shëmtuar në të gjitha aspektet.
Në minutën e 45-të, Lukaku i papërmbajtshëm u përpoq të shkonte drejt Zlatanit, i ndalur me vështirësi nga menaxheri i Interit, Tagliacarne, Lele Oriali dhe disa shokë skuadre. Gjatë rrugës për në dhomat e zhveshjes, Romelu thuhet se i ka thënë Ibrës: “Do të të qëlloj në kokë”. Në pjesën e dytë, Zlatan, i ndëshkuar me karton të verdhë për përplasjen me belgun, mori edhe një tjetër dhe u përjashtua me të kuq. Interi barazoi me një penallti të ekzekutuar nga Lukaku dhe në minutën e 97-të, Eriksen shënoi golin e fitores. Ajo përballje e dy bomberave kokë më kokë u bë edhe murale jashtë “San Siros”.
Sot Lukaku luan ende nën urdhërat e Antonio Contes, por te Napoli. Ibra është tërhequr prej dy vitesh nga futbolli i luajtur, por mbetet në orbitën e Milanit si këshilltar i “Red Bird”. Ata nuk do të përballen më në fushë. Ndoshta, më mirë kështu, edhe pse tani pajtimi duket i mundshëm.
The post Ibra-Lukaku dhe sherri në derbin e vitit 2021: “Shko bëj ritualet ‘vodoo’, gomar” – “Nëna jote është një pu*anë” appeared first on Telesport.