“Ndërmarrja Hidro Ekonomike ‘Ibër-Lepenc’ nuk është përfshirë në Listën e Infrastrukturës Kritike. Për këtë arsye, nevojitet vendosja e saj nga Kuvendi. Në fund të vitit të kaluar, Kosova u përball me një sulm që dëmtoi kanalin e ujit të ‘Ibër-Lepencit’. Kryeministri Kurti në një konferencë për media, denoncoi se ishte sulmuar një infrastrukturë kritike, shkruan Demokracia.com.
Energjia, transporti, sistemi bankar, tregjet financiare, shëndetësia, uji i pijshëm dhe ujërat e zeza, rrjeti digjital, administrata publike, si dhe prodhimi, përpunimi dhe shpërndarja e ushqimit janë sektorët që përbëjnë infrastrukturën kritike të Kosovës, e cila është jetike për funksionimin dhe sigurinë e shtetit, si dhe për qytetarët e tij. Kosova ka një ligj për mbrojtjen e kësaj infrastrukture që nga viti 2018, por në kundërshtim me deklaratat zyrtare, ‘Ibër-Lepenci’ ende nuk është pjesë e saj.
Në planin e biznesit të ndërmarrjes të parë nga Demokracia.com, një nga objektivat strategjike për vitin 2025 është futja në Listën e Infrastrukturës Kritike, e cila pritet të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ligji i infrastrukturës kritike synon të ruajë dhe mbrojë infrastrukturën kritike kombëtare, duke parandaluar incidente dhe minimizuar dëmin potencial.
Në 27 nëntor, vetëm dy ditë para sulmit në Ibër-Lepenc, Qeveria e Kosovës miratoi ndryshime në ligj për të rishikuar sektorë të infrastrukturës kritike. Autoriteti kryesor për mbikëqyrjen dhe zbatimin e këtij ligji është Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, e cila ka kompetencë të kryejë inspektime dhe të sigurojë mbrojtje fizike për infrastrukturën kritike.
Ndërmarrja ‘Ibër-Lepenc’ u transformua në Ndërmarrje Publike nga UNMIK-u pas vitit 2001 dhe më vonë u shndërrua në Ndërmarrje HidroEkonomike ‘Ibër-Lepenc’ SH.A. më 1 janar 2008. Tani është shoqëri aksionare 100% në pronësi të Qeverisë së Kosovës. Misioni i saj është të ofrojë shërbime cilësore për konsumatorët dhe të menaxhojë burimet hidrologjike dhe infrastrukturën e energjisë elektrike në përputhje me standarde ndërkombëtare të qeverisjes korporative.
Përmes angazhimit të shtuar, ‘Ibër-Lepenci’ synon të rrisë prodhimin e energjisë elektrike të pastër për nevojat e popullsisë dhe industrisë, duke kontribuar në reduktimin e emetimeve të karbonit në mjedisin vendas. /Demokracia.com/