Vetëvendosja është në dy vota mangu për të ndërtuar shumicë parlamentare dhe qeveri të re.
Kjo u zbulua në numra precizë nga vetë Mimoza Kusari-Lila në një intervistë për “Euronews Albania”, ku tha se me tri vota të NISMA-s dhe tetë nga pakicat joserbe, po qëndrojnë në 59 deputetë aktualisht.
Tre vota nga pakicat joserbe mungojnë, shpjegoi Kusari-Lila, për çka tha se kanë pasur kërkesa “abnormale”.
“Nga informatat që kemi tre prej pakicave jo-serbe nuk kanë dhënë konfirmimin e tyre të plotë për mbështetje të qeverisë. Kanë pasur kërkesa abnormalisht kanë shkuar në peshë më të rëndë se sa që kanë qenë më herët, ose sesa mund të kërkohet për një mandat”, tha ajo.
“Aty ka edhe informacione dhe dyshime serioze se ka implikim dhe presion edhe nga Lista Serbe, për të ndaluar qeverinë Kurti 3, përmes shantazhit dhe presionit që të mos lejojnë që deputetë jo të gjithë nga pakicat jo serbe të japin mbështetjen për Kurti 3”, shtoi Kusari-Lila.
Duke llogaritur tre votat e NISMA-s, Kusari-Lila konfirmoi edhe zyrtarisht se Fatmir Limaj ka ofruar tre votat e veta për qeveri të re, por se “ende s’ka marrëveshje finale”.
“Nga të gjitha pakicat joserbe, janë aktualisht 8 që mbështesin qeverinë, ndërsa ka shprehur gatishmëri edhe kryetari i NISMA-s për tre deputetë e vet. Megjithatë nuk mund të konfirmojë se ka marrëveshje të finalizuar me NISMA-n”.
“Në rrethanat aktuale 56 dhe tre, 59. Që i bjen dy deputetë mangu nga 61 shumicë e thjesht parlamentare, ose shumicën që duhet të votojë për qeveirnë në çdo rast.
Janë dy skenare. E para formimi i qeverisë me numra me shumicë të thjesht, dhe e dyta për mundësinë që e ka qneë e favorshme për koalicionin më të gjerë që mund të përfshinte ose zgfjedhen e presidentit”.