I vendoset çelësi spitalit special të mushkërive në Pejë, shkak mungesa e mjekëve

Qendra e trajtimit të tuberkulozit dhe sëmundjeve të mushkërive në Pejë, që u ka shërbyer mbi 70 vjet pacientëve nga e gjithë Kosova, po përballet me mungesë të theksuar të pulmologëve, duke krijuar krizë në trajtimin e pacientëve. Drejtuesit e tij pranojnë se kanë mungesë të mjekëve, po thonë se shërbimi ndaj pacientëve nuk është ndërprerë.

Institucioni mjekësor në Pejë për shërimin e tuberkulozit dhe sëmundjeve të mushkërive, që funksionon nga viti 1950, tani ka vetëm tre pulmologë.

Qendra, që dikur ka ushtruar funksionin e senatoriumit duke ofruar trajtim dhe kujdesin afatgjatë të pacientëve nga e gjithë Kosova, tani nuk mund të trajtojë as pacientët vendorë nga Peja.

Në katin e parë të spitalit special për sëmundje të mushkërive për të rritur dhe fëmijë ndodhet reparti i pulmologjisë, i cili prej katër ditësh nuk ka pranuar asnjë pacient. Siç ka mësuar KOHA shërbimi është ndërprerë, për shkak se gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur asnjë mjek të pranishëm në orar pune.

Edhe gjatë të enjtes KOHA mëson se pacientët janë kthyer mbrapa.

Në Spitalin e Pejës kanë konfirmuar mungesën e mjekëve, por kanë thënë se shërbimi ndaj pacientëve nuk është ndërprerë.

“Aktualisht kemi të punësuar dy pulmologë. Njëra prej tyre ndodhet në pushim mjekësor pas një intervenimi, ndërsa tjetra është në pushim vjetor të rregullt. Gjatë kësaj kohe, derisa të kthehet mjekja nga pushimi vjetor, pacientët që kanë nevojë për trajtim pulmologjik po trajtohen nga mjekët e Repartit Internistik, ndërsa rastet më të rënda dhe më të komplikuara referohen dhe transferohen në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK, Prishtinë. Po ashtu ju njoftojmë se pacientët vazhdojnë të marrin shërbime laboratorike dhe ilaçet e nevojshme në Repartin e Pulmologjisë. Pra, shërbimi për pacientët nuk është ndërprerë”, u tha nga Spitali i Pejës.

E një pulmolog tjetër aktualisht e mban pozitën e drejtorit të Spitalit.

KOHA ka kontaktuar me drejtorin Fahri Hasani, por ai ka thënë se është përgjigjur përmes zyrës për informim.

Shefkije Çitaku, pulmologe në pension, që ka punuar nga viti 1985 deri në 2020, e cilëson situatën si fatkeqësi për shëndetësinë.

“Kjo është një fat shumë i keq për shëndetësinë kosovare ta them me plotë kuptimin e fjalës dhe më dhemb shpirti kur e them këtë duke e ditë se qysh kemi punuar, sa kemi punuar e qysh kemi kontribuar. Në tej mase më dhimbset. Nuk e kemi menduar asnjëherë që vjen spitali i mushkërive në këtë gjendje. Patologjia e sëmundjeve të mushkërive vjen menjëherë pas sëmundjeve të zemrës”, tha Çitaku.

Në vitin 2000, ajo thotë se institucioni kishte 24 pulmologë.

Ndërsa shton se pulmologjia tash nuk është duke u  trajtuar me rëndësinë e duhur.

“Sot, në 2025, janë vetëm 3 pulmologë, se nuk i kanë dhënë aspak rëndësi pulmologjisë. Për fatin tonë kanë vendosur të tjerët, që nuk kanë qenë pulmologë fare, struktura të ndryshme politike. Nuk mundesh me e shkollu ti pulmologun me ba për një muaj e dy muaj, duhen vite për me u bë kuadër. Së paku 5 vite duhet për me u bë një mjek pulmolog. Çka me ba na tash? Me prit 5 vjet me e mbyll spitalin, me e ba një pulmolog”, tha Çitaku.

Funksionimin e Spitalit special të mushkërive e ka kujtuar edhe një qytetar i Pejës.

“Këtu të gjithë të sëmurët kosovarë të Kosovës që kanë qenë janë kanë këtu dhe përpara kur vinin këtu pacientët rrinin nga 6 muaj. Për atë, se janë këtu pishat, këto drunjët se ka traditë. Tash saktësisht unë nuk e di, unë si fëmijë, se këtu afër e kam edhe shtëpinë, vija. Jepnin të shtunën dhe të dielën filma dhe vija me këqyrë e të sëmurit ishin gjithë të njëjtë se ka 6 muaj e më tepër rrinin”, tha qytetari Veprim Gusia.

Lidhur me situatën në repartin e mushkërive, KOHA ka pyetur edhe në SHSKUK, por gjatë ditës nuk kanë ofruar përgjigje.