I shpallur në kërkim për drogë nga Austria, kapet në Morinë 31-vjeçari turk

Policia kufitare në Kukës ka arrestuar një shtetas turk të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik të lëndëve narkotike. Në pikën e kalimit kufitar të Morinës u vu në pranga  shtetasi V. B., 31 vjeç, banues në Stamboll.

Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Vjenës ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Austri, vijon procedurat për ekstradimin e 31-vjeçarit.