I sekuestrohen rreth 5 kg kokainë, kërkohet paraburgim për të dyshuarin

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit H.K., i cili aktualisht ndodhet në ndalim 48-orësh.

H.K. dyshohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas Prokurorisë, nga një kohë e pacaktuar e deri më 11 gusht 2025, në qytetin e Prizrenit, i pandehuri ka shpërndarë dhe shitur substanca narkotike të llojit kokainë, pa autorizim dhe me qëllim fitimi.

“Më 12 gusht 2025, pas një hetimi dhe informacioneve të siguruara nga Policia, është realizuar një bastisje në banesën e të pandehurit në rrugën “William Walker”, ku janë sekuestruar rri (3) tulla kokainë të mbështjella me foli dhe qese, me peshë totale prej 3.3 kg; 1 kg kokainë me mbetje të saj; 19 qese me kokainë me peshë totale 1.1 kg; 133 qese najloni me kokainë me peshë totale 36.62 gram; 1 qese me kokainë me peshë 0.32 gram; 2 peshore elektronike,260 euro para të gatshm, 1 pajisje për vakumim të qeseve plastike, 1 motoçikletë PIAGGIO VESPA, 1 telefon iPhone 15 Pro Max, 1 skalper dhe sasi e konsiderueshme e qeseve plastike për paketim”, thuhet në njoftim.

Vlera e kokainës së sekuestruar në tregun ilegal vlerësohet të jetë deri në 300,000 euro.

Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për shkak të rrezikut të ikjes, mundësisë së përsëritjes së veprës penale dhe ndikimit të mundshëm në prova apo dëshmitarë.

The post I sekuestrohen rreth 5 kg kokainë, kërkohet paraburgim për të dyshuarin appeared first on Kosovapost.net.