Predikuesi fetar Imran Hosein nuk është lejuar të hyjë në territorin e Shqipërisë sot pasdite, duke u cilësuar si person i rrezikshëm për sigurinë e vendit.
Sipas Top Channel, Hosein ishte nisur nga Amerika e Jugut, nga Trinidadi, drejt Shqipërisë për një agjendë fetare, por autoritetet e sigurisë kanë pasur informacione që lidhen me akte terrorizmi ndaj tij, dhe për këtë arsye policia kufitare nuk e ka lejuar hyrjen në Shqipëri.
Ai aktualisht mbahet në Rinas, derisa të finalizohet rikthimi i tij në vendin nga ku u nis.
Hosein është studiues dhe predikues islam nga Trinidad e Tobago, i njohur për komentet mbi eshatologjinë islame (shenjat e fundit të kohës) dhe çështjet botërore moderne.
Sipas Top Channel, ai është autor librash dhe ligjërues ndërkombëtar mbi ekonominë islame, politikën globale dhe interpretimin e ngjarjeve bashkëkohore në dritën e Kuranit.