Pas publikimit nga gazetari Vehbi Kajtazi të një liste që dyshohet se i përkisnin një shërbimi ilegal të spiunazhit që vepronte në Kosovë rreth vitit 2012, një nga emrat e përmendur, Arbëresh Dalipi, ka dalë me një reagim të gjatë për të sqaruar pozicionin e tij.
Në reagimin e tij, Daliqi mohon çdo përfshirje në aktivitete spiunazhi.
Ai sqaron se, në atë kohë, i ishte kërkuar të jepte kopje të letërnjoftimit të tij për të ndihmuar regjistrimin e një OJQ-je me fokus studimet dhe hulumtimet publike, për të cilën mendonte se do të mund të përfitonte nga projekte evropiane ose honorare për raporte mediatike.
“Për mua një bullshit – as lajm, as sekret, as grup, as temë serioze. Si temë, tani pas 15 vitesh, as nuk përbën lajm, as objekt hetimi kam bindjen, as është sekret madje. Sa i përket temës, kjo është dëshmia në kujtesën time: Siç e kam diskutuar me persona kompetent edhe në atë kohë, më kanë kërkuar letërnjoftimin për ta regjistruar në Kosovë një OJQ me një tip shkolle për studime dhe hulumtime të opinionit publik, anketa dhe raporte, me qëllim përfitimi të disa fondeve a grandeve evropiane dhe vende pune, siç funksiononin disa OJQ me tituj të ndryshëm për siguri, pra për fushën e sigurisë”, deklaron Dalipi.
Ai thekson gjithashtu se nuk është në dijeni për asnjë veprim të mëtejshëm të personave të tjerë në atë listë dhe nuk merr përgjegjësi për veprimet e tyre.
Kajtazi kishte thënë se kjo listë tregon strukturën e një shërbimi ilegal të spiunazhit, cili kishte vepruar në territorin e Kosovës në vitin 2012.
“Kjo është një listë e një shërbimi spiunazhi ilegal që vepronte në Kosovë në vitin 2012. Shumë prej tyre ishin arrestuar për shkak të spiunazhit. Disa ishin arratisur për spiunazh, ndërkohë ankoheshin se gjoja përndiqeshin”, tha Kajtazi në përshkrimin e dokumentit.
Në listë figuron edhe foto-reporteri Vedat Xhymshiti.
Në listën të cilën e ka publikuar Kajtazi, i vetëquajturi gazetar investigativ me të kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje, figuron i renditur i dhjeti në listë me titullin e punës ‘specialist’.
Drejtor i kësaj agjencia për territorin e Kosovës rezulton të ketë qenë Faton Mehmetaj.

Më poshtë reagimi i plotë i Arbëresh Dalipit, pa ndërhyrje:
Për mua një bullshit – as lajm, as sekret, as grup, as temë serioze
Si temë, tani pas 15 vitesh, as nuk përbën lajm, as objekt hetimi kam bindjen, as është sekret madje. Sa i përket temës, kjo është dëshmia në kujtesën time:
Siç e kam diskutuar me persona kompetent edhe në atë kohë, më kanë kërkuar letërnjoftimin për ta regjistruar në Kosovë një OJQ me një tip shkolle për studime dhe hulumtime të opinionit publik, anketa dhe raporte, me qëllim përfitimi të disa fondeve a grandeve evropiane dhe vende pune, siç funksiononin disa OJQ me tituj të ndryshëm për siguri, pra për fushën e sigurisë.
Për këtë qëllim, unë ua kam dhënë letërnjoftimin kopje për të aplikuar. Me sa e mbaj mend ligjin, duheshin pesë anëtarë për të regjistruar një shoqatë. Një profesor Ferraj, siç ma kishin prezantuar, kishte akademinë në Tiranë. Për ta regjistruar në Kosovë duheshin qytetarë me nënshtetësi të Kosovës. Ndërkohë më kishin thënë se duke pasë parasysh profesionin dhe përvojën në polici, vlente një profil i imi dhe për mua s’kishte nevojë të pajisesha me diplomë, ndërsa të tjerë, do duhej të kryenin trajnim. Bile mua ma kishin shtypur një diplomë, si specialist, gjoja s’kisha nevojë për provim se më njihej.
Pasi m’u imponuan, për t’mos i kthyer mbrapshtë, në kuptimin për t’i ndihmuar që ta hapnin OJQ-në, punë formaliteti, ua kam dhënë vetë letërnjoftimin. Edhe me mendimin se hajt t’i hap vetes një mundësi pune, nuk i dihet, po u doli mirë, më japin ndonjë honorar për ndonjë tip raporti për media, kur grumbullojnë hulumtime që bëjnë konkluzione dhe analiza. Raporte vjetore e statistika, mbi sigurinë në vend – kështu e mendoja. Në të njëjtën koha kisha lënë punën në polici dhe punoja për disa gazeta dhe media të ndryshme. M’u pat dukur si ide e mirë, një mundësi më shumë.
S’ka asgjë sekrete këtu, kur ia jep letërnjoftimin për ta dërguar në ministri për aplikim.
Nuk mbaj mend a kanë arritur ta regjistrojnë, apo a kanë mbajtur ndonjë takim, por e di që në atë kohë pat dalë në media si listë në kuptimin që i jep sot, gazetari Kajtazi, teksa ajo me letra quhej Akademia kundër Terrorizmit diçka… s’e mbaj mend për investigim a për hulumtim, nuk e mbaj mend saktë emërtimin por e di që ishte studimore, tip akademie, jo agjenturore, jo me funksion operativ.
Sidoqoftë, mund të kem rënë në këtë lajthitje dhe mund të mos e kem pasur të qartë veprimtarinë e mëtutjeshme, por unë nuk jam në dijeni për ndonjë aktivitet. Kanë pas dalë shkrime shumë shpejt kundër kësaj akademie dhe e pashë që nuk kishte qenë si më thanë – për atë kohë, prapë duke besuar me naivitet, mendoja që janë keqkuptuar ose s’po duan t’ia hapin që mos ta lejojnë të marrë fonde. Mendimi im sepse ishte nga Shqipëria. Kur dolën disa lajme kunderjt tyre, nxorën këto lista, s’e lejonte ligji më duket, e pashë që diçka nuk ishte në rregull dhe e kam shmangur. Nuk kam treguar interes. Thashë ma paskan futur.
Në atë kohë kam ndërruar vende pune, kam ndërruar numrat dhe nuk kam pasur më kontakte.
Organet kompetente mund ta dinë më saktë, i bindur që e dinë, sikundër edhe nëse kam qenë i përfshirë unë personalisht apo në çfarë forme.
Nuk mund të garantoj për asnjë se nuk më kujtohet askush aty – nuk është grup që njihen – të paktën unë nuk i njoh. Thjesht listë që e kanë bërë vetë.
Me sa mbaj mend, profesorin e kam njohur përmes një shkrimtareje librash të cilës ia pata dizajnuar një libër. Nuk jam i sigurt. Por kur e shoh që po thonë 50 spiunë, do duhej ta dije për çfarë spiunazhi, për çfarë llogarie… thjesht nuk më lidhet me diçka serioze në këtë drejtim. Edhe sot mund të jem gabim, por nuk e kujtoj si diçka serioze. Kjo sa po them, mund të përdoret në çfarëdo instance dhe hetimi për këtë temë dhe kaq sa po them mund ta jap si dëshmi me nënshkrim para secilit organ. Tutje, ndonjë person kushdoqoftë, nga ajo listë, mund të jetë përfshirë kushedi se çfarë, por ç’rëndësi ka për mua ose këdo që ka parë emrin e vet në një listë që e ka shkruar dikush, pa aprovim as dijeni, se çfarë ka vazhduar dikush të bëjë. Çfarë implikimi mund të ketë?! Lista që ka bërë dikush dhe ka futur emrin tim aty, nuk më lidh domosdo – në rastin tim – aspak me ta, gjegjësisht me veprimtarinë e tyre. As të asaj OJQ-je as të individëve veç e veç pastaj. Ndoshta është kaq e thjeshtë për mua që nuk jam në dijeni apo i përfshirë për diçka. S’di çfarë të them. Nëse diksuh ka bërë diçka të keqe, mos t’i vihet ajo e keqe në barrë çdokujt në atë listë, sepse është bërë pa aprovim, pa dijeni. Ia ka futur kot dikush asaj liste. Çfarë plani kanë pasur, çfarë kanë bërë mbrapa, s’e marr përsipër t’i mbroj se nuk di për ta dhe nuk i njoh.
Por kualifikimi për mua është i pasaktë! Më mirë me më thënë “budallë” – që ua kam dhënë letërnjoftimin me u bë mirë – më e pranueshme dhe gjithsesi e saktë, sesa spiun. Këtë jam i bindur e di edhe z. Kajtazi që ka nxjerrë dhe riaktualizuar listën. E besoj që nuk kam qenë shkaku, prandaj nuk kam hatërmbetje, por ndjeva obligim të sqarohesha edhe publikisht se s’ka diçka serioze. Krejt çfarë më shtyn të sqaroj është përgjithësimi që bëhet, pa përjashtime – sepse kjo gjë nuk qëndron. Raportimi duhet të bëhet me kujdes, se mund të shqetësojë familje. Mua jo assesi se e di, por mora disa telefonata pas publikimit të listës. S’jam pjesë e kësaj teme as e debateve. Ju shkoftë mbarë juve!








