Analisti dhe ish-anëtari i Vetëvendosjes, Azdren Shala ka komentuar raportimin e Paparacit se kompania e Erzen Krasniqit, zyrtar i VV-së, është licencuar nga ZRrE-ja për tregti me energji elektrike.
“Energy for Change L.L.C”, në pronësi të Erzen Krasniqit, udhëheqësit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Dragash, sipas të dhënave në uebsajtin zyrtar të Vetëvendosjes, është shpërblyer sot me licencë për furnizim dhe tregti me energji elektrike, raporton Paparaci.
Azdren Shala ka shkruar se ish-shokut të tij i ka dalë e vërteta.
“I paska dalë e vërteta ish-shokut tim. Shumë mirë që fundi po e rikuptimëson fillimin. Kur u patëm ndarë politikisht – unë në PSD e ai mbeti në VV – argumentet e mia nuk patën zënë vend përballë moralizimit të tij”, ka shkruar Shala.
Ai ka treguar edhe një moment në Dragash.
“Para se të dilja unë nga VV-ja, Erzeni kishte vendosur të largohej që para zgjedhjeve lokale të tetorit 2017. Arsyen nuk e tregonte, megjithëse u kuptua kur unë ia lashë vëllanë bartës të listës për Vetëvendosjen në Dragash. U kthyen menjëherë, pa asnjë shpjegim. Largimi që e kishin paralajmëruar u harrua”, ka thënë ai.
“Pra, është përfitues. Këtë e kisha thënë herët, por sot po provohet edhe me fakte. Më vjen shumë mirë që doli e vërteta, por më vjen po aq keq që dikur shkonim në protesta kundër hajnive e korrupsionit, pa e ditur se hajni e i korruptuari ishin pranë meje, në krahun tim”, ka thënë Shala.