I merret licenca avokatit që u dënua me burgim për kërcënimin ndaj gazetarit Kajtazi

Oda e Avokatëve të Kosovës ia ka hequr licencën avokatit Driton Dobruna, i cili ishte dënuar me pesë muaj burgim efektiv për kërcënimin ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi në vitin 2024.

Në një njoftim, OAK ka njoftuar se Dobruna ka humbur të drejtën e ushtrimit të profesionit të avokatit dhe si rrjedhojë është hequr nga regjistri i Avokatëve të Odës së Avokatëve të Kosovës.

Pas përfundimit të burgimit, Dobruna gjatë vitit 2025 ishte parë në një tubim dhe është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në vitin 2024 ai kishte kërcënuar Kajtazin me djegje me bëzinë.

Sipas dosjes së prokurorisë, Dobruna i kishte shkruar Kajtazit në Messenger.

“A e din cila dhimbja më e madhe për një qenie, – me ly me benzinë, e pas dy minutave me shu me zjarrfikës, e këtë me e përsërit disa herë deri sa të vdesësh, më ke vrarë, tani jam vetëm si trup i pa shpirt, të jesh i sigurt, premtimin do ta mbaj, unë e ti së bashku në ferr”- ishin fjalët që i kishte dërguar i akuzuari gazetarit, Kajtazi, sipas prokurorisë.

Sipas prokurorisë, Dobruna e ka kanosur Kajtazin për një shkrim të protalit “Insajderi” që fliste për arrestimin e Dobrunës në muajin maj të viti 2024, ndonëse autor i shkrimit nuk ishte Kajtazi.

I akuzuari, më 01.11.2024 ka pranuar fajësinë lidhur me veprën penale të kanosjes dhe kishte kërkuar falje dhe kishte shprehur keqardhje.

Sipas prokurorisë, Dobruna, fillimisht ja kishte dërguar si “screenshot “Kajtazit lajmin e “Insajderit” duke vazhduar me shkrimin “Do të shihemi së shpejti, të adhuroj si gazetar, je idoll i im, Faleminderit për vuajtjet që mi ke shkaktuar, por të dua shumë, mezi po pres me u taku me ju, Vehbi k***, do të gjejë, do të takohemi, të dua, ma ke prish jetën, por nuk ka dert, se ti je gazetar, a e din cila dhimbja më e madhe për një qenie, – me ly me benzin e pas dy minutave me shu me zjarrfikës, e këtë me e përsërit disa herë deri sa të vdesësh, më ke vrarë, tani jam vetëm si trup i pa shpirtë, të jesh i sigurt premtimin do ta mbaj, unë e ti së bashku në ferr”.