Florian Wirtz po përjeton një fillim të shkëlqyer me Liverpool-in, pavarësisht presionit që vjen me etiketën e “lojtarit më të shtrenjtë në historinë e futbollit anglez”. Mesfushori 22-vjeçar gjerman, për të cilin Liverpool-i pagoi 117.5 milionë euro, plus 20 milionë bonuse, te Bayer Leverkusen, debutoi në “Anfield” ndaj Athletic Bilbao (3-2) me një paraqitje mbresëlënëse, duke konfirmuar se është një përforcim i goditur për kampionët e Premier League.
Në prag të nisjes zyrtare të sezonit 2025-2026, ku të kuqtë do të përballen këtë të diel (10 gusht) me Crystal Palace për “Community Shield”, Wirtz tregon qetësi dhe pjekuri përballë shifrave marramendëse që e shoqërojnë: “Nuk mendoj fare për këtë. Dua thjesht të luaj futboll, nuk më intereson sa para shpenzojnë klubet mes tyre”.
Ai shtoi se është i përqendruar tek objektivat e skuadrës: “Sfida më e madhe është ta fitojmë sërish Premier League, kjo është më e vështira. Do të përpiqem të krijoj raste dhe të ndihmoj edhe pa top. Jam lojtar që kam nevojë për liri në fushë dhe trajneri ma jep këtë”.
Duke reflektuar mbi ndryshimet mes Bundesligës dhe Premier League, Wirtz vëren intensitetin dhe fizikalitetin më të lartë në Angli, por e sheh si një mundësi për t’u rritur: “Të gjithë janë më të fortë, më të shpejtë, por mendoj se kjo do të më ndihmojë të përmirësohem”.
Trajneri Arne Slot, i cili po ndërton Liverpool-in e tij pas erës “Klopp”, është i entuziazmuar nga cilësitë kreative të Wirtz, duke e krahasuar me Trent Alexander-Arnold: “Trent na jepte shumë kreativitet nga mbrojtja. Edhe pse Flo luan në një rol krejt tjetër, ka të njëjtën aftësi për të gjetur hapësirat dhe krijuar”.
Wirtz duket i qetë, i përqendruar dhe i lumtur me fillimin e tij në Angli: “Erdha këtu sepse besoja se mund të përshtatesha. Dhe po e shijoj shumë këtë fazë të parë. Gjërat po shkojnë gjithnjë e më mirë”.
The post I kushtoi Liverpool-it “një mal me para”, Wirtz: Nuk mendoj fare për këtë, dua thjesht të luaj futboll appeared first on Telesport.