Gjatë tërë periudhës së ngërçit institucional, ku deputetët e legjislaturës së nëntë dështonin seancë pas seance të konstituonin Kuvendin, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk i mungonte paraqitje pa drejtuar gishtin te partitë e tjera, duke i akuzuar se po e pengonin formimin e Qeverisë së re, ndërkohë që e jepte të garantuar se i kishte të siguruar numrat për qeverinë.
Për ta konstituuar Kuvendin, duhet të zgjidhet Kryetari i Kuvendit në seancën konstituive me shumicën e të gjithë deputetëve (61 vota). Ndërsa për formimin e Qeverisë, ajo konsiderohet e zgjedhur vetëm kur merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve (po ashtu 61 vota). Kuvendi mbeti i bllokuar për faktin e thjeshtë se koalicionit Vetëvendosje-Guxo-Alternativa i mungonte gjëja më elementare në një demokraci parlamentare; shumica për ta konstituuar.
Ndërkohë që partitë tjera insistonin se Kurti duhej të arrinte marrëveshje për emrin e kryekuvendarit, në mungesë të shumicës për ta zgjedhur atë dhe, rrjedhimisht, për ta formuar qeverinë, Kurti këmbëngulte se i kishte “numrat magjikë”: 61 vota. Pas muajsh ngërçi, akuzash dhe beteja në Gjykatën Kushtetuese, Kurtit i erdhi mundësia të dëshmonte nëse pretendimet e tij për 61 votat e garantuara nuk ishin imagjinarë, siç deklaronin partitë ish-opozitare.
Me 11 tetor, Presidentja Vjosa Osmani ia dha Kurtit mandatarin si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, për të tentuar ta formojë ekzekutivin e ri, tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme.
Kur kanë mbetur vetëm katër ditë nga skadimi i afatit për formimin e qeverisë, kreu i VV-së dyshon se mund ta formojë qeverinë e re deri të dielën, kur skadonte mandati. “Nuk është kollaj”, tha ai, duke shtuar se alternativa tjetër, në rast të dështimit, janë zgjedhjet e reja. Kurti foli për atë që ai e quajti “inat, xhelozi dhe cinizëm politik”, duke shtuarse “atmosfera është intoksikuar”, ndërsa opozita “nuk ka as vullnet e as synim për të krijuar qeveri të vetën”, raporton Nacionale.
“Nuk është kollaj, se, s’di qysh me ua shpjegu, ndoshta e keni ndëgju edhe ju vet, është intoksu atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e ciniziëm shumë më shumë se ide, punë e pasion. Por, jemi ku jei dhe do të përpiqemi ta bëjmë qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjehdje prap. Ose do ta bëjmë qeverinë, ose shkojmë në zgjedhje prap. Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për qeveri të tyre”, tha Albin Kurti në Londër.
Më tej, Kurti pretendoi se kishte bërë një ofertë bashkëpunimi për kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ku tha se i kishte ofruar një një ministri dhe dy zëvendësministra.
“Me 6 deputetë, Guxo 2 ministra. Unë kam qenë i gatshëm Nismës me ia dhanë me tre deputetë, një ministër, nënkryetarin e Kuvendit, po të ishte bë Albulena Haxhiu kryetare, Limaj ka mujt nënkryetar, se duhet me qenë gjini të ndryshme. E kish marrë një ministri, dhe dy zv/ministra, katër pozita të nalta, me tre deputetë. Maksimumi, ama mu qita se ta kom gjete ditën, faleminderit po…”, tha Kurti.
Por, një gjë e tillë nuk u konfirmua nga Nisma Socialdemokrate. Deputetja Arbëreshë Krasniqi konfirmoi për “Kallxo.com” se nuk ka pasur asnjë bisedim të tillë me Albin Kurtin, duke theksuar se ai nuk është përgjigjur në kërkesat zyrtare të partisë.
“Ne kemi një kërkesë që është tanimë e njohur. E vetmja mundësi që NISMA t’i ofroi bashkëpunim LVV-së është që të lëviz nga pozicioni kryetari i Kuvendit”- tha Krasniqi.