Një gjë për të cilën pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje është kritikuar shumë këto katër vite, ka qenë edhe punësimi i personave të afërt me partinë nëpër institucione publike.
Kryeministri Albin Kurti gjatë një tubimi në Gjakovë, të premten tha se me nëntë shkurt “nuk votohet për kusheri, nuk votohet për me i shti në punë militantët”.
“Prandaj, më nëntë shkurt, votohet për republikë, votohet për komb, votohet për ekonomi, nuk votohet për kusheri, nuk votohet për me shti në punë një militant partie.
Kosova është shumë e madhe, nuk ka vend në pushtet lart, për këso njerëz kaq të vegjël” – tha ai, transmeton Nacionale.
Vlen të theksohet se Kurti kishte bërë një thirrje të ngjajshme edhe para fitore së tij në vitin 2021.
“Është e rëndësishme që në përfaqësimin e Kosovës me i pasë njerëzit më të ndershëm dhe dijshëm. Nuk mundemi me i mbushë ambasadat, sikurse nuk mundemi me i mbushë as ministritë me kushëri. Kushërinjtë janë për shtëpi. Familja është te shpija. Kur të bahet ministër, zëvendësministër, deputet apo drejtor, apo edhe në komunë nesër pasnesër, duhet me u ba veç ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria” – deklaronte ai.