I dyshuari për vrasjen e aktivistit konservator amerikan, Charlie Kirk, “nuk është duke bashkëpunuar” me autoritetet dhe nuk ka dhënë rrëfim për kryerjen e sulmit, ka thënë guvernatori i shtetit Utah, Spencer Cox.
I dyshuari 22-vjeçar, Tyler Robinson, u dërgua në ndalim rreth 33 orë pasi Kirku, 31-vjeçar, u qëllua për vdekje me armë zjarri në Orem të mërkurën, raporton televizioni BBC.
Guvernatori Cox, i cili vjen nga radhët e Partisë Republikane të presidentit Donald Trump, tha se personat rreth të dyshuarit Robinson kanë bashkëpunuar në hetim.
Cox-i u shfaq në media të ndryshme amerikane të dielën në mëngjes, ku gjithashtu i përsëriti shqetësimet në lidhje me rrjetet sociale pas vdekjes së Kirkut.
Kirku ishte duke folur në Universitetin “Utah Valley” në një tubim në mjedis të hapur, i organizuar nga organizata “Turning Point USA”, e cila ishte bashkëthemeluar nga ai, kur u qëllua për vdekje.
Cox-i më herët i tha gazetës “The Wall Street Journal” se Robinsoni, banor vendës në Utah, “ishte thellësisht i indoktrinuar në ideologjinë majtiste”.
Kur u pyet në një emision të televizionit CNN të dielën, guvernatori tha se kjo informatë është dhënë nga miqtë dhe familja e të dyshuarit.