Personi i dyshuar që së fundmi u arrestua për veprën penale “vrasje në tentativë”, pasi dyshohet se ka sulmuar me sëpatë babanë e tij në komunën e Deçanit, rezulton se tre vite më parë kishte qenë subjekt i një apeli publik për ndihmë financiare për shërim.
Sipas të dhënave të publikuara në atë kohë, Kanun Musshabanaj, 22-vjeçar nga fshati Isniq i Deçanit, vuante nga një sëmundje e rëndë dhe kishte nevojë për trajtim mjekësor emergjent jashtë Kosovës. Për shërimin e tij ishin kërkuar rreth 50 mijë euro, ndërsa ishte organizuar edhe një aksion humanitar për mbledhjen e mjeteve financiare.
Në apelin e atëhershëm ishte përmendur edhe babai i tij, Agim Musshabanaj, i cili ishte cilësuar si luftëtar i lirisë, ndërsa qytetarë të shumtë ishin ftuar të kontribuonin për shërimin e të riut.
Ndërkohë, ngjarja e rëndë e ndodhur mesditën e së enjtes ka tronditur opinionin publik. Sipas Policisë dhe Prokurorisë Themelore në Pejë, i dyshuari dyshohet se ka sulmuar babanë e tij me sëpatë, duke i shkaktuar lëndime serioze trupore. Viktima është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa rasti është cilësuar si “vrasje në tentativë”.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe pritet që brenda afatit ligjor të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.









