I dënuari për sulm seksual lirohet gabimisht nga burgu, arrestohet sërish (VIDEO)

Një emigrant i cili u lirua gabimisht nga burgu pasi ishte arrestuar për sulm seksual ndaj një të miture, është kapur përsëri në veri të Londrës pas një ndjekjeje nga policia metropolitane.

Bëhet fjalë për Hadush Kebatu, i cili ishte liruar gabimisht nga burgu në Chelmsford të premten, dy ditë pas dënimit të tij.

Kebatu ishte dënuar muajin e kaluar dhe duhej të deportohej pas vuajtjes së dënimit.

Policia Metropolitane njoftoi se arrestimi ndodhi pas denoncimeve të disa dëshmitarëve, të cilët e panë Kebatun pranë një stacioni autobusi. Ai u arrestua qetësisht, pa rezistencë, dhe tashmë do të mbahet në burg në Londër para deportimit.

Sekretari i Drejtësisë, David Lammy, tha se Kebatu do të deportohet gjatë kësaj jave dhe se do të nisë një hetim i pavarur për të zbuluar se si ndodhi lirimi i gabuar.

Ai shtoi se incidenti tregon nevojën për kontrolle më të rrepta në burgje dhe për të parandaluar gabime të ngjashme në të ardhmen, raporton TCH.

Shërbimi i Burgjeve  ka pezulluar një oficer dhe po kryen hetime për rastet e tjera të lirimeve të gabuar.

Raportet tregojnë se gjatë vitit të fundit, 262 të burgosur janë liruar gabimisht në Angli dhe Uells, duke treguar presionin dhe mungesën e stafit në sistemin e burgjeve./Klankosova.tv

 

The post I dënuari për sulm seksual lirohet gabimisht nga burgu, arrestohet sërish (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.