I dënuari për krime lufte në Kosovë lirohet “për shkak të gjendjes shëndetësore”

Nebojsha Pavkoviq, i dënuari nga Gjykata në Hagë për krime lufte në Kosovë, do të lirohet nga burgimi për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, ka konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një deklaratë për gazetarët në New York, Vuçiq ka thënë se ka qenë Qeveria e Serbisë ajo që ka kërkuar lirimin e tij të hershëm “për shkak të kushteve tejet të rënda shëndetësore”.

Vuçiq ka thënë se Haga e ka pranuar kërkesën.

Pavkoviq, tash 79-vjeçar, ka mbajtur disa poste në Ushtrinë e Jugosllavisë. Prej vitit 1994 ai ishte vendosur në Prishtinë, ku e udhëhoqi korpusin prej vitit 1998.

Më 2005 ishte ekstraduar në Hagë për gjykim nga Tribunali ndërkombëtar. Më 2009 ishte shpallur fajtor për të gjitha akuzat dhe ishte dënuar me 22 vjet burgim për dëbime, dhunë, vrasje, persekutime e akte të tjera çnjerëzore. Bashkë me të ishin dënuar edhe Vladimir Lazareviq, Nikolla Shainoviq, Dragoljub Ojdaniq dhe Sreten Lukiq.